Republika e Kosoves

Podujevë

Këshilli i Drejtorëve diskutoi për zbatimin e masave të reja ndaj COVID-19

2020/07/13 - 11:54

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e udhëhoqi Nënkryetari i Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, u diskutua veçmas për situatën me pandeminë COVID-19 dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të zbatimit të masave të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Nënkryetari Rudari ka kërkuar nga drejtoritë komunale, që janë të përfshira direkt në zbatimin e udhëzimeve dhe masave të fundit, koordinim dhe bashkëveprim të plotë me nivelin qendror dhe akterët e tjerë për zbatim rigoroz të masave të parapara me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Nënkryetari Rudari, gjithashtu ka kërkuar nga ekzekutivi që të vazhdohet me punë dhe dinamikë në zbatimin e projekteve, të cilat janë në realizim dhe atyre që janë të planifikuara.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për efektet e masave të fundit të Qeverisë në organizimin e punës së administratës komunale dhe u morë vendim që selektimi i punëtorëve të bëhet nga drejtoritë përkatëse, duke respektuar moshën dhe gjendjen e tyre shëndetësore.