Republika e Kosoves

Podujevë

Këshilli i Drejtorëve analizoi gjendjen dhe masat preventive ndaj COVID-19

2020/03/19 - 1:40

Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Podujevës ka mbajtur takim, në të cilin është analizuar situata e krijuar pas paraqitjes së tri rasteve me qytetarë të infektuar me virusin COVID-19 dhe aplikimit të karantinës për tri fshatra.

Në takimin e Këshillit të Drejtorëve, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, informoi ekzekutivin për gjendjen aktuale në Komunë dhe masat që po ndërmerren për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi COVID 19, pas shpalljes së emergjencës për shëndetin publik dhe vendosjes në karantinë të tri fshatrave të Komunës së Podujevës.

Nënkryetari Rudari tha se Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID 19 vazhdimisht është duke përcjellë situatën dhe po ndërmerren masa konform me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, informoi për vizitën që i është bërë të mërkurën familjeve të tre personave të prekur me virusin COVID 19, në Dumnicë dhe Bradash, ku ekipi mjekësor është informuar për gjendjen shëndetësore të familjarëve. Ndërsa, ekipi kompanisë së angazhuar nga komuna ka bërë dezinfektimin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse të këtyre familjeve

Në takim u tha se në bazë të rekomandimeve po vazhdon të kryhet dezinfektimi i hapësirave publike.

Gjithashtu u tha se inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përkujdesen për zbatimin e vendimeve të institucioneve shtetërore lidhur me operimin e bizneseve, objekteve tregtare, hoteliere dhe shërbimeve të tjera.