Republika e Kosoves

Podujevë

KKSB e vlerësoi të qetë gjendjen e sigurisë në Podujevë

2018/09/19 - 3:48

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe është informuar për intervenimet e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në periudhën e deritashme të këtij viti.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në Komunë, informatën për intervenimin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit si dhe ka shqyrtuar masat parandaluese ndaj dukurive negative (përdorimi i narkotikeve, vjedhjet, dhuna, etj.)
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë raportoi Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, i cili gjendjen e përgjithshme të sigurisë e vlerësoi të qetë dhe stabile.
Kapiteni Bislimi potencoi aktivitetet dhe angazhimet e shtuara të policisë në krijimin e sigurisë në komunikacion. Ai ka thënë se masat e ndërmarra kanë treguar rezultate në zvogëlimin e numrit të aksidenteve.
Gjithashtu kapiteni Bislimi përmendi edhe aksionin që është duke u zhvilluar në lirimin e trotuareve dhe hapësirave të tjera publike në qytet, nga parkimet ilegale të veturave. Ai gjithashtu përmendi një operacion të suksesshëm të policisë në arrestimin e një grupi prej katër vetash që kanë kryer vjedhje të ndryshme. Ai tha se pas arrestimit të këtij grupi, vërehet rënie e numrit të vjedhjeve në territorin e komunës së Podujevës. Kapiteni Bislimi përmendi edhe rastin e grabitjes së një filiali të “MoneyGram” në Podujevë, me ç’rast autori është arrestuar brenda 24 orësh.
Kapiteni Bislimi potencoi si dukuri shqetësuese rritjen numri të shtënave me armë zjarri në ahengje familjare, krahasuar me vitin e kaluar.
Edhe përfaqësuesi i KFOR-it në KKSB gjendjen e sigurisë në Komunë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.
Në takimin e sotëm, drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, paraqiti informatën e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit për periudhën e deritashme të këtij viti.
Sipas informatës së prezantuar deri më 1 shtator të këtij viti ky shërbim ka intervenuar në 229 raste, që është shumë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur është intervenuar në 559 raste. Shqetësuese, sipas raportit, mbeten rastet e djegies së pyjeve, e cila në të shumtën e rasteve shkaktohet me qëllim.
Lidhur me këtë çështje në KKSB u tha se nevojitet sensibilizim i qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie dhe mobilizim më i madh i të gjitha strukturave përgjegjëse, duke përfshirë këtu Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
KKSB në mbledhjen e sotëm diskutoi edhe për masat parandaluese kundër dukurive negative (përdorimi i narkotikeve, vjedhjet, dhuna, etj.)
Gjatë diskutimeve u kërkua angazhim i të gjitha mekanizmave relevante, e veçmas udhëheqësve të shkollave, prindërve, por edhe institucioneve për vetëdijësimin e të rinjve, në mënyrë që ata të mos bëhen pjesë e këtyre dukurive devijonte.
Në këtë aspekt u përmend edhe roli i Policisë së Kosovës, e cila do të vazhdojë me ligjërata vetëdijësuese nëpër shkolla.