Republika e Kosoves

Podujevë

Komuna e Podujevës dhe GIZ vazhdojnë bashkëpunimin në mbrojtjen e ambientit

2018/12/22 - 9:53

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me bashkëpunëtorë ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e GIZ-it për të diskutuar për planet dhe projektet e përbashkëta në fushën e ambientit.

Në takimin e sotëm Kryetari Veliu falënderoi përfaqësuesit e GIZ-it për bashkëpunim e suksesshëm në sferën e ambientit dhe ofroi bashkëpunim më të thellë në avancimin e projekteve që mundësojnë menaxhim më të mirë të mbeturinave.

Kryetari Veliu i informoi tha se Komuna e Podujevës ka formuar grupin punues për menaxhim të mbeturinave, i cili do të punojë në ndarjen e zonave të shërbimit, si dhe do të angazhohet për largimin e deponive ilegale dhe shtrirjen e sistemit të grumbullimit të mbeturinave.

GIZ-i ka angazhuar dy kompani, njërën për plan të ri operativ për shërbim dhe një kompani tjetër për përcaktimin e tarifave të grumbullimit të mbeturinave.

Shqetësimin që u ngrit në këtë takim ishte iniciativa e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) rritjen e tarifave të deponimit të mbeturinave.

Për këtë çështje Kryetari Veliu tha se kjo inciativë është kundërshtuar edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), për faktin së nëse ndodhë kjo rritje e tarifave krijon vështirësi të shërbimit të amvisërive. “Fokusi ynë duhet të jetë në përmirësimin e shërbimeve dhe menaxhim më të mirë i deponive e jo ngritja e tarifave”, tha kryetari Veliu.

Në takim u diskutua edhe për planin e ri operativ për shërbime, i cili do të përfshijë të gjitha vendbanimet e komunës. Ky plan do të jetë më efiçinet në shpenzime dhe mundëson shfrytëzim maksimal të aseteve teknike dhe humane.
Po ashtu GIZ i dhuroi KRM “Pastrimi” 50 kontejnerë të 1.1 m3 , të cilët do të shërbejnë për riorganizmin e mbeturinave përgjatë qendrës së qytetit i dhe 200 kontejnerë 60 litërsh, të cilët do të shpërndahen për amvisëritë e fshatin Batllavë.