Republika e Kosoves

Podujevë

Komuna e Podujevës nisi shpërndarjen e 500 pakove ushqimore për familjet në nevojë

2020/04/29 - 6:59

Komuna e Podujevës ka filluar sot shpërndarjen e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se për familjet nga qyteti shpërndarja e pakove ushqimore po bëhet në Palestrën e Sporteve, ndërsa për familjet në fshatra kemi angazhuar staf dhe automjete të Komunës, për t’i dërguar pakot në secilën familje të evidentuar nga përfaqësuesi i fshatit/lagjes dhe nga listat e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”.

Që nga shpallja e pandemisë dhe emergjencës shëndetësore në Kosovë, si pasojë e COVID-19, për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe atyre që iu është përkeqësuar gjendja materiale, Komuna e Podujevës përmes donatorëve ka shpërndarë pako ushqimore.

Kuvendi i Komunës në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro, për ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike.