Republika e Kosoves

Podujevë

Komuna e Podujevës reagon në lidhje me shpërndarjen e granteve në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”

2019/01/14 - 12:49

Komuna e Podujevës ka qenë e angazhuar maksimalisht në realizimin e aksionit tremujor në kuadër të projektit “Ta Pastrojmë Kosovën” e të mbështetur nga Qeveria e Kosovës.
Mirëpo, Komuna e Podujevës shprehet e zhgënjyer me mënyrën se si u përzgjodhën komunat më të suksesshme në këtë aksion.
Konsiderojmë se me rastin e vlerësimit dhe shpërndarje së granteve nuk është përfillur kriteri i vlerësimit të performancës, për faktin se:
Komuna e Podujevës është e para që ka ngritur Task Forcë për realizimin me sukses të aksionit, në përbërje të së cilës kanë qenë të involvuara të gjithë mekanizmat e paraparë , në krye të së cilës ishte Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari.
Në fillim të inciativës jemi njoftuar se aksioni është me karakter garues dhe se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka vendosur t’i shpërblejë me grante në vlerë 1.2 milion euro gjashtë komunat më të suksesshme.
Task Forca në përbërje nga akterët relevantë, institucionet publike, shoqëria civile, Policia e Kosovës, FSK, KBI, forumet politike, kompanitë e pastrimit dhe mbi të gjitha mijëra vullnetarë iu përgjigjen në mënyrë masive aksionit për tre muaj rresht.
Aksioni u realizua në shume fusha: mbjelljen e fidanëve, ngjyrosjen e mureve të shkollave, pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap, pastrimin e hapësirave publike në qytet, buzë rrugëve magjistrale, Parku i Paqes, hapësirat te Liqeni i Batllavës dhe brezi kufitar në Merdar, kurse Komuna ka kontraktuar kompani, enkas për largimin e deponive ilegale.
Po ashtu me vendim të Kuvendit të Komunës, kemi caktuar dy lokacione për deponimin e mbetjeve inerte, kusht ky i cili na është proklamuar si ndër kryesorët në përzgjedhjen e përfituesve të granteve.
Në përmbyllje të procesit udhëheqësi i Task Forcës Nënkryetari Nexhmi Rudari mori pjesë në takimin regjional, ku prezantoi rezultatet, të cilat më vonë edhe u dërguan si raport.
Të gjitha raportet e komunave për realizimin e këtij aksioni janë dërguar edhe në faqen zyrtare ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, ku edhe mund të shihet qartë angazhimi i komunave, dhe se Podujeva ishte ndër komunat më të suksesshme në këtë aksion.
Mirëpo, duket se tërë ky angazhim dhe rezultatet e treguara në këtë aksion, nuk ishin të mjaftueshme që Komuna e Podujevës të plotësojë ‘kriteret’ për të qenë përfituese e grantit, ndonëse në ditën e shpërndarjes së granteve u bë publike se ishte rritur numri i komunave përfituese nga gjashtë sa thuhej në fillim në dhjetë.
Duke pasur parasysh kriteret e përcaktuara në fillim të aksionit dhe dukë u mbështetur në performancën e treguar gjatë këtij aksioni nga Komuna e Podujevës, më shumë se e habitshme është shqetësuese mënyra se si organizata organizatën “Let’s do it”  dhe MMPH kanë bërë përzgjedhjen e komunave përfituese dhe në cilat kritere u mbështetën për ta shpërblyer performancën e komunave të përzgjedhura si fituese!
Pavarësisht kësaj, Komuna e Podujevës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e mjedisit, duke zgjeruar rrjetin e grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave në të gjitha lokalitetet, duke larguar deponitë ilegale dhe duke shtuar hapësirat e gjelbëruara dhe për këtë angazhim Komuna është vlerësuar nga mekanizma të respektuar.
Po ashtu në platformën ndreqe . com, ku prezantohen online deponitë e raportuara dhe të larguara, shihet qartë se komuna e Podujevës radhitet në komunat më të suksesshme.
Prioritet për Komunën e Podujevës mbetet angazhimi dhe realizimi i projekteve në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ambientit.

Task Forca e Komunës së Podujevës për realizimin e projektit “Ta Pastrojmë Kosovën”