Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Bulliqi priti përfaqësuesit e organizatës “Llampa Innovation Center”

2021/01/19 - 12:37

Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës Joqeveritare “Llampa Innovation Center”, Blerina Zejnullahu, Gëzim Zejnullahu dhe Valon Shabani, me të cilët bisedoi për aktivitetet dhe format e bashkëpunimit.

Përfaqësuesit e “Llampa Innovation Center” e njoftuan kryetarin Bulliqi për angazhimet e tyre dhe projektet në të cilat janë të fokusuar si organizatë, për të cilat thanë se targetojnë kryesisht të rinjtë dhe aktivitetet e tyre kryesore kanë të bëjnë me ofrimin e trajnimeve në zhvillimin e shkathtësive dhe gjuhë programuese.

Për zhvillimin e tyre dhe rritjen e gamës së programeve dhe aktiviteteve që ofrojnë, përfaqësuesit e kësaj organizate kërkuan nga kryetari Bulliqi ndihmë për të siguruar një lokacion të përshtatshëm.

Kryetari Bulliqi i përgëzoi të rinjtë e kësaj qendre inovative për punën dhe aktivitetet e tyre, ndërsa u premtoi që në afat sa më të shkurtër kohor do të angazhohet për sigurimin e një lokacioni të përshtatshëm për ta.

Po ashtu Kryetari Bulliqi premtoi mbështetjen e Komunës edhe në realizimin e përbashkët të programeve me interes për të rinjtë e Komunës së Podujevës.