Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu dorëzoi çelësat e shtëpive të reja për 20 familje në Lagjen e Dëshmorëve

2018/11/29 - 10:04

Për nder të festës së 28 Nëntorit, të mërkurën në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka dorëzuar çelësat e shtëpive për 20 familje, që deri tani jetonin në kontejnerët e kësaj lagjeje.
Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave ,ku ishin të pranishëme dhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Podujevës, kryetari Agim Veliu tha se ndjehet i lumtur që në ditën e festës së 28 Nëntorit, po ua dorëzon çelësat e shtëpive të reja 20 familjeve, përfituese të shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve.
Kryetari Veliu u zotua se do të angazhohet fort derisa të largohet edhe familja e fundit nga kontejnerët.
“Komuna e Podujevës do të përkujdeset që ta rregullojë infrastrukturën përcjellëse në mënyrë, që kësaj lagjeje t’i japim pamjen e një vendbanimi modern”, tha kryetari Veliu.
Këto shtëpi u ndërtuan nga një projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës, kurse kryetari Veliu apeloi te Ministria që të vazhdojë përkrahjen e këtij projekti deri në përfundimin e tij.
Për nderë të Ditës së Flamurit, Komuna e Podujevës ka organizuar disa aktivitete kulturore dhe artistike.