Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu informoi qytetarët për ecurinë e realizimit të projekteve

2018/06/27 - 1:38

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim publik me qytetarë, lidhur me ecurinë e realizimit të projekteve dhe aktiviteteve të tjera, të parapara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
Në bazë të dispozitave të Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe të Statutit të Komunës, kryetari i  Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur takim publik me qytetarë, në të cilin i ka informuar ata lidhur me ecurinë e realizimit të projekteve dhe të aktiviteteve tjera të parapara për vitin 2018, me theks të veçantë për gjashtëmujorin e parë.
Në takimin publik, ku ishin të pranishëm edhe drejtorët komunalë, kryetari Veliu tha se Komuna e Podujevës për këtë vit buxhetor ka planifikuar investime në projekte të ndryshme, në bazë të buxhetit të miratuar në Kuvend.
“Buxheti i Komunës për këtë vit është 20,953,255 euro, prej të cilave për investime kapitale janë 6,489,514 euro., kurse për subvencione kemi një buxhet prej 568,883 euro. Në kuadër të mjeteve që kemi në dispozicion është bërë edhe planifikimi dhe miratimi i projekteve për këtë vit kalendarik”, tha kryetari Veliu.
Më tej kryetari Veliu tha se projektet e miratuara në Kuvend, që janë të përfshira në buxhetin e Komunës, deri më tani janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik.
“Edhe në këtë vit investimet kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Komunës sonë”, tha kryetari Veliu.
Kryetari Veliu tha se tashmë kemi hyrë në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore. “Kemi të asfaltuara mbi 80 % të rrugëve nga rreth 1,300 rrugë publike sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë. Jemi duke vazhduar në asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave nëpër lagje”.
Kryetari përmendi fillimin e realizimit të disa projekteve të mëdha infrastrukturore në qytet, siç është hapja e rrugës së re pranë lumit Llap, në pjesën perëndimore të qytetit, e cila do të shërbejë si unazë e brendshme dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në qytet dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e asaj pjese të qytetit.
“Së shpejti do të fillojmë edhe me zgjerimin e një segmenti të Rrugës ‘Zahir Pajaziti’ duke filluar nga udhëkryqi i rrugës ‘19 Qershori’ deri te udhëkryqi që lidh magjistralen Podujevë-Prishtinë, ku paralelisht do të bëhet edhe rregullimi i infrastrukturës përcjellëse”.
Kryetari Veliu tha se “ndërtimin e infrastrukturës rrugore jemi duke e përcjellë edhe me shtrirjen e rrjetit të ndriçimit publik në të gjitha lagjet e qytetit, por edhe në disa fshatra”.  “Jemi në fazën e përmbylljes së ndërtimit të rrjetit të kanalizimit dhe kemi filluar me ndërtimin e kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e ambientit sepse ujërat e zeza do të largohen nga lumenjtë”.
Më tej kryetari përmendi edhe fillimin e funksionalizimit të Spitalit të Qytetit, ku fillimisht është duke ofruar shërbime Reparti i Maternitetit. “Besojmë se së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, do t’i funksionalizojmë edhe repartet e tjera të spitalit”.
Kryetari Veliu tha se janë edhe shumë projekte të tjera që janë duke u realizuar dhe që pritet të realizohen gjatë këtij viti në sektorë të tjerë.
Informacione më të detajuara lidhur me projektet e përfunduara dhe ato që janë duke u realizuar, kanë dhënë drejtorët e drejtorive përkatëse.
Qytetarët e pranishëm në debat, përveç interesimit për projektet që janë duke u realizuar, kanë bërë edhe kërkesa për projekte të ndryshme, që kryesisht kishin të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës rrugore, kanalizim dhe ambient.