Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu informoi qytetarët për realizimin e projekteve në vitin 2018 dhe planifikimet për vitin 2019

2018/12/12 - 3:27

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për ecurinë e realizimit të projekteve në investimet kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019.

Në takimin e sotëm publik Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i ka informuar qytetarët për projektet kapitale të realizuar për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019.

Kryetari Veliu tha se projektet e miratuara në Kuvend, për vitin 2018 janë realizuar dhe janë në proces të realizimit sipas planit dinamik.

“Edhe në këtë vit investimet kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë.  Jemi në fazën e  finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, ku nëse e marrim me përqindje janë asfaltuar rreth 90 % të rrugëve nga rreth 1,300 rrugë publike sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë”, tha kryetari Veliu.

Më tej kryetari Veliu përmendi disa projekte të mëdha infrastrukturore në qytet të cilat janë realizuar, ose janë në fazën e realizimit siç është ndërtimi i rrugës së re në anën e djathtë të lumit Llap.

“Kjo rrugë tashmë ka filluar të shërbejë si unazë e brendshme dhe do të lehtësojë qarkullimin në qytet, do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e asaj pjese të qytetit dhe do të hap mundësitë për implementimin e projektit madhor të qytetit, fjala është ndërtimin e bulevardit në qendër të qytetit, projekt i cili ka filluar me ndërtimin e rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik si fazë e parë si dhe zgjerimin e segmentit të rrugës ‘Zahir Pajaziti’ nga udhëkryqi i rrugës ‘19 Qershori’ deri te udhëkryqi që lidh magjistralen Podujevë-Prishtinë”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se infrastruktura rrugore është duke u përcjellë edhe me shtrirjen e rrjetit të ndriçimit publik në të gjitha rrugët e qytetit, por edhe në disa fshatra.

“Gjithashtu jemi në fazën e përmbylljes së ndërtimit të rrjetit të kanalizimit, ndërtimin e kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza, fushë kjo e cila do të finalizohet me ndërtimin e kolektorit kryesor si zgjidhje afatgjate  kësaj çështjeje”, tha kryetari Veliu.

Më tej kryetari Veliu tha se “tashmë ka filluar funksionalizimi i Spitalit të Qytetit dhe besojmë se së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, do t’i funksionalizojmë edhe repartet e tjera të spitalit”.

“Edhe shumë  projekte të tjera të realizuara dhe në proces të realizimit si  në infrastrukturë rrugore, rregullimin e trotuareve, rregullimin e hapësirave publike,  investimet në Sektorin e Arsimit dhe Sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, subvencionimet në sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë”, tha kryetari Veliu.

Ndërsa, detaje më të hollësishme rreth realizimit të projekteve, investimeve dhe planifikimeve për vitin 2019, i kanë prezantuar përpara qytetarëve drejtorët e drejtorive të Komunës së Podujevës.

Qytetarët e pranishëm në takim publik janë interesuar të dinë më shumë lidhur me projektet që pritet të realizohen gjatë vitit 2019, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike.