Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu inspektoi punimet në ndërtimin e trotuarit në Dumnicë

2019/03/14 - 4:27

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot Dumnicën, ku është duke u realizuar projekti i ndërtimit të trotuarit në një segment të rrugës së këtij fshati.
Për të përcjellë nga afër punimet në ndërtimin e trotuarit, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, ka vizituar fshatin Dumnicë, ku përgjatë rrugës kryesore është duke u ndërtuar një segment i trotuarit në gjatësi prej 1,420 metra.
Kryetari Veliu me këtë rast tha se ndërtimi i trotuareve do të jetë një nga prioritetet në projektet infrastrukturore.
“Tash kur është bërë asfaltimi i shumicës së rrugëve në të gjitha lokalitetet e komunës sonë, prioritetet mbeten investimet në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik. Realizimi i këtyre projekteve do të ndikojë në sigurinë e lëvizjes së qytetarëve tanë”, tha kryetari Veliu.
Ndërtimi i segmentit të trotuarit në Dumnicë është pjesë e kontratës, në të cilën përfshihet edhe ndërtimi i trotuareve në segmentet rrugore në Peran, Halabak dhe Batllavë – Gërdoc, në një gjatësi të përgjithshme prej 3.875 metrash.