Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu kërkon nga KEDS-i normalizim të furnizimit me energji elektrike

2018/11/23 - 4:50

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka shprehur shqetësim për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike, gjatë ditëve të fundit.
Kryetari Veliu ka kërkuar nga KEDS-i që menjëherë të ndërmerr masat e duhura për normalizim të furnizimit me energji elektrike në Komunën e Podujevës.
“Jam i shqetësuar me gjendjen e krijuar ditëve të fundit, ku qytetarët e Podujevës dhe fshatrave po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe pa ndonjë orar nga KEDS-i.
Ndërprerja e energjisë elektrike po e vështirëson jetën e qytetarëve në këto ditë të ftohta.
Po ashtu, reduktimet po shkaktojnë probleme të mëdha edhe për bizneset llapjane, me ndërprerje në punë e prodhimtari dhe duke u shkaktuar dëme në pajisje elektrike.
Cilado qoftë arsyeja e ndërprerjeve të energjisë elektrike, kjo gjendje është e papërballueshme për qytetarët, institucionet (shkollat e ambulancat) në Komunën e Podujevës.
Kërkojmë nga KEDS-i që menjëherë të ndërmerr masat e duhura për normalizim të furnizimit me energji elektrike në Komunën e Podujevës”, thuhet në reagimin e kryetarit Veliu.