Republika e Kosoves

Podujevë

Nënkryetari Rudari dhe Kryeshefi i Ujësjellësit biseduan për projeket që do të realizohen në Komunën e Podujevës

2020/06/12 - 6:37

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka takuar sot Kryeshefin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa, me të cilin ka biseduar për projektet e realizuara në komunë dhe planifikimet për të ardhmen.

Gjatë takimit, Nënkryetari Rudari tha se në vitin 2019, Komuna e Podujevës ka investuar rreth 260 mijë euro në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa janë planifikuar investime edhe këtë vit.

“Prioritet do të jetë furnizimi i mirë me ujë i qytetit, i cili do të bëhet me përmirësimin e tubacionit me kapacitet të mjaftueshëm”, tha Nënkryetari Rudari.

Në takim u diskutua edhe për projektin, i cili ka stagnuar prej vitesh, që ka të bëjë me furnizimin e disa fshatrave me ujë, e që njihet si projekti i “Vrellës së Revuçit”.
Me këtë rast Kryeshefi Xhafa u zotua se do të interesohet për gjetjen e mundësive për ta rifilluar këtë projekt, i cili është i rëndësisë jetike për qytetarët e atyre fshatrave.

Nënkryetari Rudari, kryeshefi Xhafa dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, vizituan edhe punimet në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Orllan, i cili po realizohet sipas dinamikës dhe i njëjti do ta përfshijë edhe fshatin Herticë.