Republika e Kosoves

Podujevë

Në 24 orët e fundit në Podujevë, asnjë i dyshuar me COVID-19

2020/03/22 - 3:13

Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar situatën dhe zbatimin e masave mbrojtëse, pas konfirmimit të rasteve të personave të infektuar me Coronavirus.

Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i ka shprehur ngushëllime familjes së Halim Halitit nga Dumnica, i cili të dielën ndërroi jetë si pasojë e infektimit me COVID-19.

Në takimin e sotëm u tha se gjendja e dy të infektuarëve të tjerë me COVID-19 është stabile dhe se ekipi mjekësor i QKMF në Podujevë vazhdimisht është në kontakt me familjet e tyre në Dumnicë dhe Bradash, kurse deri tani nuk ka indikacione për presona të tjerë të infektuar në këto familje.

U tha se në 24 orët e fundit në QKMF nuk është paraqitur asnjë rast i dyshuar me simptoma të COVID-19. Drejtori i drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, tha se vazhdimisht është duke u kryer dezinfektimi i objekteve shëndetësore dhe objekteve të tjera publike. Ai tha se shqetësuese është mungesa e mjeteve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë në Podujevë, për faktin se po mungon përkrahja e duhur nga Qeveria dhe institucionet qendrore të shëndetësisë.

Gjithashtu u vlerësua se po përfillen rekomandimet e institucioneve qendrore dhe të IKSHPK, pas aplikimit të regjimit të karantinës për tri fshatrat, ku janë paraqitur rastet e infektimit me COVID-19.

Komandanti i Stacionit Policor, Bekim Zogiani, tha se gjendja e sigurisë në Komunë është stabile. Policia e Kosovës dhe inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e rekomandimeve. Ndaj bizneseve që nuk respektojnë udhëzimet në situatën e emergjencës shëndetësore, po ndërmerren masa adekuate administrative.

Shqetësuese gjatë ditëve të fundit ka qenë dukuria e shkaktimit të zjarreve në pyje, duke shkaktuar dëme të mëdha. Drejtori Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi dhe ai i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi ngritën dyshimet se zjarret po shkaktohen në mënyrë të qëllimshme. Prandaj kërkuan që policia të kryejë hetime të detajuara dhe të ndërmerren masa ligjore ndaj keqbërësve.

Komuna, përmes donatorëve ka shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike te familjet me gjendje më të rëndë në tri fshatrat që po mbahen në karantinë, por edhe te familjet e tjera me gjendje të rëndë sociale, që janë në evidencën e Komunës.

Me këtë rast, nënkryetari Rudari ka falënderuar donatorët që kanë kontribuuar me ndihma në këto rrethana të rënda.

Nënkryetari Rudari gjithashtu ka falënderuar personelin mjekësor, Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë situatë të emergjencës.

Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 edhe me këtë rast apeloi te qytetarët që të shmangin lëvizjet, të përfillin distancën sociale dhe të rrinë në shtëpi, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të familjarëve.

Për çdo shqetësim apo problem shëndetësor qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Emergjencës të QKMF në Podujevë në të numër telefoni 038 571 912.