Republika e Kosoves

Podujevë

Në Gllamnik filloi ndërtimi i objektit shkollor për nxënësit me nevoja të veçanta

2018/07/03 - 2:33

Në oborrin e Sh.F.M.U. “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik, sot filloi ndërtimi i objektit-aneksit shkollor për nxënësit me nevoja të veçanta.
Në mënyrë solemne sot është vendosur gurthemeli për ndërtimin e objektit-aneksit të SH.M.U. “Kongresi i Manastirit”, në Gllamnik, ku do të ndjekin mësimet nxënësit me nevoja të veçanta.
Projekti i ndërtimit të këtij objekti-aneksi shkollor financohet nga Shoqata “Kinderaugen” e qytetit Hude i Gjermanisë.
Në prani të qytetarëve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, gurthemelin për ndërtimin e objektit e kanë vendosur Agim Blakçori – drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Bejtush Fazliu – përfaqësues i Shoqatës “Kinderaugen” dhe Ajet Ajeti – drejtor i shkollës “Kongresi i Manastirit”.
Drejtori i drejtorisë së arsimit në Podujevë, Agim Blakçori, tha se vlerësoi iniciativën e shoqatës gjermane për ndërtimin e këtij ankesi në shkollën “Kongresi i Manastirit”, në të cilën i ndjekin mësimet nxënësit me nevoja të veçanta.
Ndërsa, përfaqësuesi i shoqatës “Kinderaugen”, Bejtush Fazliu, tha se ndjehet i lumtur që po kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira për mësim, për këtë kategori nxënësish.
Edhe drejtori i shkollës, Ajet Ajeti, u shpreh i lumtur për fillimin e realizimit të këtij projekti dhe falënderoi Shoqatën “Kinderaugen” për investimet që po bën në këtë shkollë.
Objekti, në të cilin do të ndjekin mësimet 19 nxënës me nevoja të veçanta do të ketë dy dhoma mësimi dhe pritet të jetë i gatshëm për vitin shkollor 2018/19.
Ndërtimi i këtij objekti nuk është donacioni i parë  i Shoqatës gjermane “Kinderaguen” për shkollën e “Kongresi i Manastirit”. Kjo shoqatë në vitin 2016 ka financuar ndërtimin e këndit të lojërave për nxënësit e kësaj shkolle, kurse vitin e kaluar ka dhuruar pajisje didaktike.