Republika e Kosoves

Podujevë

Në Podujevë u mbajt debat në kuadër të fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”

2018/12/07 - 4:20

Në debatin e organizuar në kuadër të fushatës globale të “16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se dhuna në familje dhe sidomos dhuna ndaj grave e fëmijëve, përpos e papranueshme, është edhe jo njerëzore. “Nuk është as burrërore, as njerëzore, të ngresh dorë ndaj një gruaje, fëmijë, personi të moshuar, apo kujtdo, për çfarëdo arsye”, tha Kryetari Veliu.

Në kuadër të fushatës globale të “16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) nga UN Women, me përkrahjen e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot në sallën e Kuvendit të Komunës në Podujevë u mbajt debati sensibilizues për parandalimin e dhunës kundër grave dhe vajzave.

Kryetari Veliu me këtë rast tha se dhuna gjithmonë  është e papranueshme në shoqëri – ajo duhet të refuzohet si metodë për zgjidhjen e çfarëdo problemi.

“Dhuna në familje dhe sidomos dhuna ndaj grave e fëmijëve, përpos e papranueshme, është edhe jo humane. Nuk është as burrërore, as njerëzore, të ngresh dorë ndaj një gruaje, fëmijë, personi të moshuar, apo kujtdo, për çfarëdo arsye”, tha Kryetari Veliu.

Më tej kryetari tha se “dhuna ndaj grave ka kosto të lartë sociale për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi, sepse ndikon negativisht në mirëqenien publike, në shëndet dhe siguri, në arritshmëri shkollore e produktivitet. Ndikon negativisht edhe në ardhmëri”.

“Studimet tregojnë se fëmijët, të cilët kanë qenë dëshmitarë të dhunës familjare, janë më të prirë të jenë edhe vetë viktima të dhunës ose kryes të akteve të tilla në familje, në të ardhmen. Kosova ka bërë një përparim në lidhje me adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj gruas. Mirëpo, edhe pse janë formuar shumë mekanizma e miratuar rregullativa ligjore që mbrojnë viktimat e dënojnë dhunuesit, prezenca e kësaj dukurie në familjet tona, vazhdon të jetë shqetësuese”.

Kryetari Veliu tha se “familja ka qenë gjithmonë pjesa më e shëndoshë e shoqërisë kosovare. Ndonëse dhuna ka qenë prezente gjithmonë, megjithatë familja kosovare ka qenë bërthama e moralit shoqëror, laboratori i vlerave më të larta etike, të cilat, të bartura nga prindërit tek fëmijët, janë trashëguar brez pas brezi, nga historia deri sot”.

“Pra, ne duhet të bëjmë çmos të ruajmë këtë familje të shëndoshë, duke  miratuar politika që e mbështesin dhe mbrojnë këtë institucion të shenjtë të njerëzimit… Reagimi ynë ndaj dhunës familjare nuk bën të mbetet vetëm në nivel apelesh e deklarimesh”.

“Policia, prokuroria dhe institucionet tjera duhet të jenë skajshmërisht rigorozë në dënimin e atyre që shkaktojnë dhunë  në familje. Institucionet tjera përkatëse, qendra për punë sociale, shoqëria  civile dhe mekanizmat tjerë, duhet të bëjnë punën e tyre në parandalimin e rasteve të tilla”, tha kryetari Veliu.

Debatit të organizuar në kuadër të fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore” i parapriu një film dokumentar, në të cilin gratë viktima të dhunës në familje kanë shpalosur historitë e tyre. Ndërsa, lidhur me këtë temë pjesë e debatit ishin përfaqësues të institucioneve komunale, Qendra për Punë Sociale, Policia e Kosovës dhe shoqërisë civile.