Republika e Kosoves

Podujevë

Në Podujevë u mbajt Panairi i Sportit 2019

2019/10/25 - 1:53

Me pjesëmarrjen e qindra sportistëve të klubeve llapjane, sot në sheshin e qytetit në Podujevë u mbajt Panairi i Sportit 2019, me moton “Regjistrohu në klubin e zemrës tënde” .
Aktivitetin e organizuar sot në sheshin e qytetit në Podujevë, nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komuna e Podujevës, ku morën pjesë qindra të rinj e të reja nga klube të ndryshme sportive në Podujevë, e hapi kryetari i Komunës, Agim Veliu.

Me këtë rast, kryetari Veliu duke përshëndetur pjesëmarrësit tha se edhe përmes këtij aktiviteti inkurajojmë të rinjtë që sa më shumë të merren me sport përmes pjesëmarrjes dhe angazhimit në klubet sportive llapjane, ku do të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre dhe të arrijnë rezultate kulmore.
Kryetari Veliu veçmas përshëndeti klubin e basketbollit të rinjve të Velbertit të Gjermanisë, të cilët po qëndrojnë në Podujevë, si mysafirë të Klubit të Basketbollit “Llapi”. Ndërsa, vizita e tyre po realizohet në kuadër të bashkëpunimit dhe vizitave të dy qyteteve të binjakëzuara, Podujevës dhe Velbertit.
Në aktivitetin e sotëm sportiv ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Kosovës, drejtoresha e për Kulturë Rini dhe Sport, Donika Sfishta dhe zyrtarë të tjerë e punëtorë sportivë të Komunës.