Republika e Kosoves

Podujevë

Në Podujevë u shënua Dita e Mësuesit

2019/03/07 - 4:18

Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria e Arsimit, Komuna e Podujevës ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Me këtë rast me mirënjohje janë nderuar veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar.
Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë është mbajtur një manifestim, i organizuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Podujevës.
Në manifestimin e sotëm, përveç mësimdhënësve, ishin të pranishëm edhe Nexhmi Rudari – nënkryetar i Komunës, Agim Blakçori – drejtor në Drejtorinë Arsimit dhe zyrtarë të tjerë të lartë komunalë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, drejtori komunal i Arsimit, Agim Blakçori ka uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit dhe foli për zhvillimin e shkollës shqipe nëpër dekada dhe sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit.
“Shtatë Marsi shënon ditën më të rëndësishme në historinë e arsimit shqip, që lidhet me hapjen e shkollës së parë shqipe, këtu e 132 vjet më parë. Për shkollën shqipe, si dhe për vetë popullin shqiptar, historia ishte e pamëshirshme dhe e padrejtë. Rrugëtimi misionarëve të shkollës shqipe vazhdojë të jetë i rëndë dhe plot sakrifica në rrugën e dijes dhe të lirisë”, tha drejtori Blakçori.
Më tej, drejtori Blakçori, tha se “edhe në Komunën tonë, sikurse gjithandej nëpër Kosovë, sot, 20 vite pas luftës, është investuar shumë në ndërtimin e infrastrukturës shkollore. Por, na mbetet për të bërë shumë në ngritjen e cilësisë në arsim.
“Do të vazhdojmë të investojmë në të përmirësimin e kushteve për punë dhe mësim. Këtë vit presim të përurojmë objektin e ri të shkollës ‘Dituria’ në Llapashticë të Poshtme dhe shpresoj të përfundojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri të shkollës ‘Emin Duraku’ në Bajçinë.
Nënkryetari, Nexhmi Rudari dhe drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, dhuruan mirënjohje dhe dhurata, me të cilat Kryetari i Komunës, Agim Veliu, i ka nderuar mësimdhënësit veteranë dhe
mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme.
Për nder të Ditës së Mësuesit trupa artistike e Tetarit “Avdush Hasani” në Podujevë dha shfaqjen “Tenda”.