Republika e Kosoves

Podujevë

Nënkryetari Rudari vizitoi lokalitete të prekura nga vërshimet

2020/06/24 - 6:09

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka vizituar sot disa lokalitete të prekura nga vërshimet të shkaktuara nga reshjet e shiut.

Reshjet e shiut të dy ditëve të fundit në Komunën e Podujevës kanë shkaktuar vërshime në disa lokalitete, kurse për të parë gjendjen nga afër, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, i shoqëruar nga drejtori Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi dhe drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi, kanë vizituar disa fshatra.

Gjatë vizitës në teren është konstatuar se krahas daljes nga shtrati kryesisht të përroskave, vërshime janë shkaktuar dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike. Në shumë vende tokat bujqësore janë vërshuar edhe nga ujërat sipërfaqësore, të grumbulluara nga reshjet e shumta.

Me këtë rast nënkryetari ka informuar banorët e lokaliteteve se Komuna do të ndërmarr masa, që të sanohen problemet tek kanalet e mbyllura atmosferike dhe atje, ku janë ngushtuar shtretërit e rrjedhës lumenjve dhe përroskave.

Komisioni i ngritur nga Komuna e Podujevës, gjatë ditëve në vijim do të dalë në terren dhe do të vlerësojë dëmet e shkaktuara në ekonomitë familjare dhe prona bujqësore. Lista me vlerësimin e dëmeve do t’i përcillet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për kompensimin e qytetarëve të dëmtuar.