Republika e Kosoves

Podujevë

Përfituesit e projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në Kosovë” nënshkruan kontratat

2020/07/08 - 11:35

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari dhe drejtoresha e organizatës gjermane “Help”, Shqipe Breznica, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 37 përfituesit e granteve në kuadër të projektit “Mbështetje stabiliteti socio-ekonomik në Kosovë”.

Sot është realizuar marrëveshja e bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës dhe organizatës “Help”, e nënshkruar në shkurt të këtij viti për bashkëfinancim në kuadër të projektit “Mbështetje stabiliteti socio-ekonomik në Kosovë”, i financuar nga Medicor Fundation dhe zbatuar nga “Help” dhe Komuna e Podujevës.

Në kuadër të këtij 37 biznese të vogla kanë përfituar mbështetje materiale, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabiliteit ekonomik duke krijuar vende të reja të punës me ndihmë direkte me grante për bizneset e vogla.

Nëpërmjet këtij projekti, ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë apo të zhvillojnë bizneset e tyre.

Vlera mesatare e një granti, për një përfitues, është 2,000 euro në formë të pajisjeve dhe një trajnim në fushën e të bërit biznes.

Me këtë rast, nënkryetari Rudari ka uruar përfituesit e projektit dhe ka falënderuar organizatën “Help” për bashkëpunimin dhe përkrahjen e ofruar për bizneset.

Nënkryetari Rudari tha se Komuna e Podujevës do të vazhdojë me përkrahjen e bizneseve të vogla përmes subvencioneve dhe projekteve të ndryshme.