Republika e Kosoves

Podujevë

Përfshihen nga zjarret pyjet në disa zona të Komunës Podujevës

2019/03/08 - 4:10

Gjatë dy ditëve të fundit disa sipërfaqe me pyje në Komunën e Podujevës janë përfshirë nga zjarret, kurse zjarrfikësit dhe ekipet e emergjente të Komunës janë vazhdimisht në teren, duke u angazhuar për shuarjen e zjarreve. Kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka apeluar te qytetarët që të angazhohen në ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve.
Disa sipërfaqe me pyje në disa fshatra të Komunës së Podujevës nga e enjtja janë përfshirë nga zjarret. Situatë më e rëndë paraqitet në pyjet e fshatrave Popovë, Llapashticë dhe Bradash, ku ekipet e zjarrfikësve janë duke bërë përpjekje maksimale për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Lidhur me gjendjen e krijuar ka reaguar Kryetari i Komunës, Agim Veliu, duke thënë se ekipet emergjente komunale gjatë gjithë kohës janë në teren
“Apeloj te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private”, tha kryetari Veliu.
Në zonat e ku kanë shpërthyer zjarret në teren dalë edhe zyrtarët e Komunës, drejtori i Shërbimeve, Publike Mbrojtje dhe Shpëtimi, Faik Muçiqi dhe Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.
Drejtori Muçiqi tha se përkundër angazhimit të vazhdueshëm të Brigadës së Zjarrfikësve, lokalizimin e zjarrit po e vështirëson era e fortë që po frynë, e cila i ndihmon përhapjes së zjarrit.
Në ndihmë Shërbimit të Zjarrfikësve të Podujevës i ka ardhur edhe ekipi prej 15 zjarrfikësve nga Agjencia i Pyjeve të Kosovës.
Ndonëse sipërfaqet e përfshira nga zjarri janë të mëdha, ato nuk rrezikojnë zonat e banuara të atyre fshatrave.