Republika e Kosoves

Podujevë

Përkujtim pë dëshmorin Fadil Talla

2010/02/02 - 12:00

 U përkujtua 20 vjetori i vrasjes të dëshmorit të kombit Fadil Talla 
 
Në 20 vjetorin e vrasjes së dëshmorit të kombit Fadil Talla, familjarët, të afërmit, përfaqësues të komunës së Podujevës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta etj.vunë kurora lulesh pran varrit të tij. Ndërkaq më vonë në Sallën e Qytetit u organizua një akademi rasti. Në këtë akademi foli përfaqësuesi i komunës, njëkohësisht kryesuesi i Kuvendit të Komunës Hazir Raçi, i cili mes tjerash tha:

“E nderuara familje e Fadilit,Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Të evokosh kujtimet për veprat që bënë dëshmorët është përgjegjësi në ndërgjegje dhe privilegj, që në brezat e tërë të rrugëtimit tonë kombëtar dolën atdhetarë dhe njerëz të përkushtuar për liri dhe pavarësi të vendit.

Në vitet që mund të konsiderohen si vitet më turbullta të historisë sonë më të re, por njëkohësisht edhe viteve më të rëndësishme për fatin tonë në organizimin e lidershipit shtetëror, biri i Juaj ishte pjesë e pandashme e atij procesi të lavdishëm.

Krijesa artificiale e atij shteti siç ishte Jugosllavia u lëkund nga tentativat hegjemoniste serbe për të dominuar nëpërmes shtypjes dhe dhunës ndaj popujve të tjerë, e sidomos ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Ishin bijtë dhe bijat e kombit ata që e bënë historinë tonë. Në saje të sakrificës së tyre ne e arritëm ta realizojmë identitetin tonë kombëtar dhe shtetëror.

Qoftë i nderuar kujtimi për dëshmorin e kombit Fadil Tallën

Lavdi dëshmorëve!”

Më pas fjalën e mori kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Xhevdet Maçastena i cili tha se Kosova është një familje e madhe e dëshmorëve. Këta janë pasuria më e madhe e Kosovës, prandaj meritojnë respekt.

Ndërkaq Nazmi Talla, i ati i dëshmorit Fadil Talla mes tjerash tha se në natyrën e njeriut nuk është lehtë të përballohet momenti kur të vritet i biri para syve. Mirëpo ne na mbanë krenaria, sepse ai ra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sikur edhe Hyzdriu dhe shumë dëshmorë të tjerë të kombit.

Jakup Blakçori në emër të familjarëve dhe të fshatit Letancë evokoi kujtime për Fadilin, ku ndër të tjera tregonte se Fadili tri ditë pas vrasjes së tij do të fejohej, por vdekja ja anuloj fejesën e tij. Fadili u vra nga dora kriminale e ushtrisë kriminale të ish Jugosllavisë, e cila në vend se të mbronte njerëzit, ajo vriste shqiptar dhe na i sillte në arkivole. Megjithatë ne ndihemi krenar për Fadilin, sepse ai u bë shembull frymëzimi për gjeneratat që vijnë, shtoi mes tjerash Blakçori.

Në fund u dha një dokumentar me temën “Kronika e një vrasjeje” kushtuar vrasjes së Fadil Tallës, dhe në vazhdim të kësaj nxënësit e shkollës fillore “Hyzdriu dhe Samiu” të fshatit Letancë dhanë një program të pasur artistik.
 
Postuar me datë:02-02-2010

Në 20 vjetorin e vrasjes së dëshmorit të kombit Fadil Talla, familjarët, të afërmit, përfaqësues të komunës së Podujevës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta etj.vunë kurora lulesh pran varrit të tij. Ndërkaq më vonë në Sallën e Qytetit u organizua një akademi rasti.