Republika e Kosoves

Podujevë

Podujeva binjakëzohet me Linzin e Austrisë

2021/07/01 - 3:45

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Komunës së Linzit, Klaus Luger kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit në mes të këtyre dy qyteteve.

Në një ceremoni solemne të organizuar në Linz të Austrisë, sot kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Komunës së Linzit, Klaus Luger kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit.

Me këtë rast kryetari Bulliqi tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm për dy qytetet tona për të ngritur ura të reja të miqësisë dhe të bashkëpunimit.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për qytetet tona, për të ngritur ura të reja të miqësisë dhe të bashkëpunimit në shumë fusha në interes të zhvillimit. Për mua, si kryetar i Komunës së Podujevës, është një nder i veçantë të nënshkruaj marrëveshjen e binjakëzimit me një komunë të njohur dhe shumë të zhvilluar industrialisht siç është Linzi” tha kryetari Bulliqi.

Kryetari Bulliqi tha se bashkëpunimet tona do të jenë kryesisht në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, politikave sociale dhe kulturës.

Ndërsa pas ceremonisë së nënshkrimit të dy kryetarët u zotuan të punojmë në mënyrë aktive në përafrimin e dy qyteteve dhe thellimin e miqësisë, në të mirë të qytetarëve e veçanarisht të rinjve.

Në fund kryetari Bulliqi ka falenderuar bashkëvendasin, Prof. dr Shkelzen Sinani, i cili ka qenë iniciatori kryesor i vendosjes së kontakteve dhe i punës deri në finalizimin e marrëveshjes së binjakëzimit, si dhe përfaqesuesit e Ambasades së Kosovës në Austri të cilët e shoqëruan delegacionin e Komunës së Podujevës gjatë kësaj vizite.

Pjesë e delegacionit të kryetarit Bulliqi në Linz të Austrisë janë edhe drejtori i Administratës, Bahri Selimi dhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu.