Republika e Kosoves

Podujevë

Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në disa lokalitete të Komunës së Podujevës

2020/06/23 - 3:44

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe pengesa në qarkullim në disa lokalitete të Komunës së Podujevës.

Uji ka vërshuar toka bujqësore dhe rrugë në fshatin Bellopojë, Lupç i Poshtëm, Batllavë, Dumnicë, Penuhë dhe në disa fshatra të tjera.

Përveç daljes nga shtrati kryesisht të përroskave, vërshime janë shkaktuar dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike, probleme kanë shkaktuar edhe ujërat sipërfaqësore nga reshjet e shumta.

Për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe dëmet e shkaktuara në pronat bujqësore, zonat e goditura nga vërshimet i ka vizituar Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.

Ndërsa, ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.

Dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës.