Republika e Kosoves

Podujevë

Shënohet 60 vjetori i vrasjes së veprimtarit Shaban Shala dhe përvjetori historik i bashkimit politik të organizatave patriotike shqiptare i krijimit të LPK-së

2023/01/20 - 3:53

Nën organizimin e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe shoqatave të burgursurve politikë të Kosovës, me akademi përkujtimore në teatrin e qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë, u shënua 60 vjetori i vrasjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Shaban Shala dhe përvjetori historik i bashkimit të organizatave patriotike shqiptare i krijmit të LPK-së.

Në akademi përkujtimore morën pjesë nënkryetarja e Komunës Marigona Lahu, kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Pajtim Balaj, deputeti Fatmir Humolli, drejtorë të shkollave, asamblistë, familjarë të dëshmorëve dhe të burgosurëve, mësimdhënës dhe qytetarë të Podujevës.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, tha “se jemi popull i bekuar që patëm gjenerata të tëra që sakrifikuan çdo gjë ë u fijuan për mëvetësinë e gjeneratave të reja”.

“Me 20 janar 1963 Shabani i flamurit, u flijua për flamur, gjuhë e liri kombëtare, por duke lënë pas vetes trima dhe trimëresha, të cilët me guximin dhe sypatrembësinë e tyre na sollën lirinë e çmuar, që Shabani e të tjerët para nesh e ëndërruan”.

Ndërsa veprimtari, aktivisti dhe i burgosuri politik, Bajram Ajeti, elaboroi historikun e këtyre viteve duke vlerësuar lartë veprimtarinë e secilit që kontribuoi për çështje kombëtare. Poashtu ai vlerësoi lartë kontributin dhe angazhimin e mësuesit, atdhetarit dhe patriotit të pashoq, Shaban Shala, i cili u flijua për flamur dhe liri kombëtare.

Në fund të akademisë u ndanë edhe mirënjohje për familjet e dëshmorëve dhe veprimtarëve që u flijuan për lirinë e vendit, si dhe për të përndjekurit politik.

Pas akademisë në nderim të jetës dhe veprës së lavdishme të veprimtarit Shaban Shala dhe 60 vjetorit të rënies së tij, u bë zbulimi i pllakës në familjen e heroit në fshatin Letanc.