Republika e Kosoves

Podujevë

Shtabi Emergjent i Podujevës apelon për zbatimin e masave mbrojtëse ndaj Covid-19

2020/07/07 - 1:22

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë, vendimin e fundit të Qeverisë për kufizimin e veprimtarisë në gastronomi, masat mbrojtëse dhe rastin e fundit të vdekjes së një qytetari nga fshati Llaushë.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, informoi anëtarët e shtabit lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës të 5 korrikut, pas shtimit të rasteve me COVID-19 dhe rastin e vdekjes së 80-vjeçarit Sheqir Osmani nga fshati Llaushë, i cili ishte infektuar me këtë virus. Me këtë rast Shtabi Emergjent i shprehu ngushëllime familjes së të ndjerit.

Nënkryetari Rudari tha se që nga shfaqja e këtij virusi në Komunën e Podujevës janë evidentuar 56 raste të personave të prekur me COVID-19, ndërsa 30 persona janë shëruar, kurse 24 raste janë aktive dhe fatkeqësisht dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e këtij virusi.

Gjatë takimit u tha se të gjitha rastet aktive me Covid-19 janë në vetizolim, bashkë me familjet e tyre dhe ato janë nën mbikëqyrjen e ekipit emergjent komunal.

Në takim u tha se shqetësuese është mos zbatimi i masave mbrojtëse veçmas në rastet e grumbullimit të qytetarëve, në ahengje të ndryshme dhe ceremoni mortore dhe organizimin e pritjeve për ngushëllime-të pameve.

Prandaj, Shtabi Emergjent edhe njëherë apelon te qytetarët që të shmangin grumbullimet e ndryshme, që ceremonitë e varrimit të kryhen vetëm nga familjarët dhe të mos organizohen pritje për ngushëllime – të pame.

Gjithashtu u kërkua që policia dhe inspektorët komunalë të përkujdesen për zbatimin e vendimit të Qeverisë lidhur me orarin e punës dhe zbatimin e masave në gastronomi dhe shërbime të tjera.

Shtabi Emergjent gjithashtu kërkoi që të respektohet vendimi i Qeverisë për reduktimin e stafit të punësuarve në nivel të stafit të domosdoshëm në administratën komunale dhe institucione të tjera.

Shtabi apelon te të gjithë qytetarët që të aplikojnë masat mbrojtëse – maskat dhe të mbajnë distancën sociale.

Vendimi i Qeverisë i 5 korrikut për masat e reja ndaj Covid-19, kliko KËTU