Republika e Kosoves

Podujevë

Shtabi Emergjent kërkon nga të gjithë zbatimin e masave anti-Covid

2021/01/19 - 8:18

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë, respektimin e masave mbrojtëse dhe rikthimin në zonën e kuqe.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, të udhëhequr nga nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u diskutua për situatën e përgjithshme epidemiologjike në Komunën e Podujevës, pas shtimit të rasteve me të infektuar gjatë ditëve të fundit dhe rikthimit në Zonën e Kuqe.

Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata është e menaxhueshme edhe përkundër numrit të madh të rasteve ditëve të fundit. Ajo tha që në nivel të vendit Komuna e Podujevës deri tani është me 3.4 % e prekur nga totali i rasteve me Covid-19, dhe rrjedhimisht edhe numri i rasteve që kanë humbur jetën, gjithashtu në nivel vendi është më i vogël, me 2.8 % nga totali i vdekjeve në Kosovë.

“Deri tani në Komunën e Podujevës janë 3,007 persona të shëruar, 355 persona aktivë me Covid-19 dhe 40 persona, të cilët kanë përfunduar me fatalitet, vdekje. Numri mesatar i testimeve në ditë është 100-135”, tha epidemiologia Rama.

Shefja e sektorit të operativës nga Stacioni i Policisë, Valbona Blakçori, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin anti-Covid. Ajo tha se nga 01 deri më 18 janar janë shqiptuar 144 gjoba, prej tyre 134 për mos mbajtje të maskës, dy për mos respektimin e masës së vetizolimit dhe 8 tjera për mos respektim të kufizimit të lëvizjes.

Koha e lejuar për operim të kafiterive-gastronomisë theksoi që mbetet deri në 21:00, ndërsa për lëvizje qytetare deri ne 21:30.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Ajet Potera tha se ka vend për respektim më të madh të masave. Ai potencoi bashkëpunimin e ngushtë me Policinë dhe ekipet përgjegjëse, të cilat janë vazhdimisht në teren dhe po monitorojnë bizneset dhe qytetarët e Podujevës.

Kryetari i Bashksisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti, tha se me rikthimin e Podujevës në Zonë të Kuqe ndalohen ceremonitë fetare.

Nënkryetarja Lahu kërkoi që Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, pasi këto dy sektorë janë të përfshira direkt në zbatimin e masave dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Shtabi Emergjent edhe me këtë rast iu bënë thirrje qytetarëve të respektojnë masat anti-Covid, pasi që gjendja është duke u rënduar, sepse vetëm duke respektuar masat mbrojtës mund ta fitojmë betejën me pandeminë.