Republika e Kosoves

Podujevë

Shumë vullnetarë e dhjetëra institucione në aksionin “Ta Pastrojmë Podujevën”

2018/09/15 - 6:56

Aksionit për pastrimin e vendit “Ta pastrojmë Kosovën” i janë bashkuar në mënyrë masive vullnetarë dhe institucione të Podujevës.
Në hapjen e aksionit, së bashku me qindra vullnetarë, përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe kompanive të kontraktuara, mori pjesë kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu.
Me këtë rast Kryetari Veliu i falënderoj për punën në koordinimin e aktivitetit Task Forcën ”Ta Pastrojmë Podujevën”, të gjithë akterët e përfshirë, në veçanti qytetarët e shumtë vullnetarë, të cilët në mënyrë masive u bashkuan në aksionin e sotëm.
“Komuna jonë që nga maji është e angazhuar fuqishëm në pastrimin e ambientit. Jemi komuna e parë në nivel vendi me gatishmërinë për largimin e deponive ilegale të raportuara. Ndërsa ky masovizim dhe kjo pjesëmarrje sot është dëshmi e qartë se komuna jonë do të dalë suksesshëm edhe këtë herë”, tha kryetari Veliu.

Ai premtoi se ky aksion do të vazhdohet për gjatë tre muajve me aktivitete e aksione të ndryshme.

Ndërsa koordinatori i Task Forcës “Ta Pastrojmë Podujevën”, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se aksionit të sotëm i janë bashkuar të gjitha institucionet përfshi administratën komunale, asambleja komunale, zyrat e gjendjes civile, Qendra e Mjekësisë Familjare dhe të gjitha ambulancat në teren, mbi 40 shkolla fillore dhe të mesme, Policia e Kosovës, Këshilli i Bahskësisë Islame, Organizatat Rinore, Forumet Rinore,
Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, Qenra Rinore, klubet Sportive, bizneset, kompanitë e kontraktuara, mediat, dhe mbi të gjitha vullnetarët e ndryshëm të cilët i janë bashkuar aksionit.

Rudari tha së Task Forca komunale gjatë gjithë ditës do të jetë në teren ndërsa në mbrëmje do të dalin edhe me raport të saktë të aktiviteteve.

Në komunën e Podujevës që nga mesnata është filluar me aktivitete, duke filluar me pastrimin e rrugëve, për të vazhduar që nga mëngjesi me aksione pastrimi, mbjellja e 100 fidanëve në hapësira publike dhe në shkolla (1 mijë fidanë gjatë tre muajve), ngjyrosja e mureve të shkollave, pastrimi i shtratit të lumit llap dhe largimi i deponive ilegale.

Aksioni ka përfshirë të gjitha pjesët e komunës se Podujevës, ndërsa në fokus kanë qenë hapsirat rreth institucioneve, parqet e qytetit, pika kufitare në Merdare dhe hapësirat rreth Liqenit të Batllavës.