Republika e Kosoves

Podujevë

Takim informues për ushtrimin fushor “Skifteri 03”, që do të mbahet në muajin mars

2018/12/26 - 2:36

Në Komunën e Podujevës sot është mbajtur takim informues lidhur me ushtrimin fushor “Skifteri 3”, që do të mbahet në territorin e Komunës së Podujevës në pjesën e dytë të muajit mars 2019.

Në takimin e parë informues me përfaqësuesit e Batalionit të Tretë të FSK-së për Reagim të Shpejtë, ku i bisedua lidhur me ushtrimin fushor “Skifteri 03”, ishin të pranishëm Faik Muçiqi – drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim,  Zaim Thaçi – drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Bislimi – komandant i Stacionit Policor në Podujevë dhe Milaim Ajvazi – shefi i Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Lidhur me rëndësinë dhe aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të ushtrimit fushor “Skifteri 03”, foli eprori i FSK-së, majori Avni Kiçina.

Në takim u tha se në këtë ushtrim do të testohet ndërveprueshmëria e Batalionit të tretë me njësi të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Komunën e Podujevës, me Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin  e Emergjencave (AME), Zjarrfikësit, Shërbimet Mjekësore Emergjente (SHME) dhe Kryqin e Kuq.