Republika e Kosoves

Podujevë

Task Forca “Ta Pastrojmë Podujevën” e gatshme për aksionin e nesërm

2018/09/14 - 4:03

Një ditë para aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, Task Forca “Ta Pastrojmë Podujevën” ka mbajtur sot takimin e fundit koordinues, ku është diskutuar lidhur me planin e veprimit dhe organizimin e përgjithshëm të aksionit.
Takimin e Task Forcës “Ta Pastrojmë Podujevën” e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, ndërsa pjesëmarrës ishin të gjithë akterët e përfshirë në këtë aksion.
Nënkryetari Rudari i njoftoi të pranishmit me përgatitjet e që ka bërë ekipa lokale, duke përmendur hartimin e detajuar të planit të veprimit, i cili ështe bërë në koordinim me kompanitë e kontraktuara dhe me akterët tjerë të përfshirë në proces.
Ai gjithashtu foli për rëndësinë e organizimit sa më të mirë dhe masiv të aksionit të 15 shtatorit, i cili përveç efektit që do të prodhojë për pastrimin e ambientit ku jetojmë, arsye shtesë për angazhim edhe më të madh janë grandet e premtuara nga Qeveria e Kosovës për komunat më të suksesshme.
Në lidhje me çështjen e organizmit foli edhe drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, i cili tha se kjo drejtori nga një projekt i përbashkët me Agjencionin e Pyjeve, do të sigurojë fidanë për hapësirat publike dhe për të gjitha shkollat e Komunës së Podujevës, ndërsa fillimi i këtij projekti do të bëhet nesër.
Ndërsa Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha tha se kjo drejtori nga muaji maj ka angazhuar kompaninë për largimin e deponive ilegale dhe këto aktivitete do të bashkërendohen me përfaqësuesit e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Për përgatitjet e aksionit gatishmërinë e institucionevë të tyre shprehen edhe drejtori i Administratës, Gëzim Namani,  u.d. i Drejtorit të Arsimit, Agim Blakçori dhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Donikë Sfishta.
Gatishmëri për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë aksion shprehën edhe përfaqësuesit e kompanive të pastrimit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Ekipa Lokale ka filluar me shpërndarjen e materialeve, ndërsa aksioni i pastrimit në Podujevë do të fillojë nesër në ora 11:00, në sheshin e qytetit në Podujevë.