Republika e Kosoves

Podujevë

U mbajt debat publik për projekt rregulloret për mbrojtje të ambientit dhe menaxhim të mbeturinave

2019/06/18 - 2:07

Në Komunën e Podujevës, të hënën dhe të martën, është mbajtur debat publik për propozim Rregulloren për Mbrojtjen e Mjedisit dhe për propozim Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës.
Dy projekt rregullore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe menaxhimin e mbeturinave, kanë qenë temë e debatit publik, që u mbajt të hënën dhe të martën në sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës.
Propozim Rregulloren për Mbrojtjen e Mjedisit e ka prezantuar para qytetarëve nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.
Nënkryetari Rudari tha se me këtë rregullore përcaktohen rrethanat dhe kushtet e përgjithshme për mbrojtjen e mjedisit në Komunën e Podujevës në përputhje me specifikat e saj.
“Qëllimi i përgjithshëm i kësaj rregulloreje është krijimi i një baze me rregulla mjedisore, e cila do të promovojë një ngritje të mjedisit të shëndetshëm për popullatën e Podujevës, duke synuar arritjen e standardeve mjedisore evropiane”, tha nënkryetari Rudari.
Lidhur me këtë dokument qytetarët dhanë sugjerimet dhe propozimet e tyre.
Ndërsa, në debatin e mbajtur të martën për propozim Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës, nënkryetari Rudari, duke prezantuar këtë dokument, tha se  kjo rregullore ka për qëllim të rregullojë çështjen e menaxhimit të mbeturinave në territorin e komunës, vlerën (shumën) e taksës për mbeturina, në funksion të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm financa mbi menaxhimin e mbeturinave.
“Kjo rregullore definon kushtet për menaxhimin e integruar të mbeturinave me qëllim të ruajtjes-mbrojtjes së mjedisit jetësor nën juridiksionin e Komunës”, tha nënkryetari Rudari.
Sqarime lidhur me këtë dokument ka dhënë edhe drejtori Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi.
Qytetarët e pranishëm në debat kanë bërë pyetje lidhur me mënyrën e menaxhimit të mbeturinave dhe funksionimin e dy kompanive që operojnë në territorin e komunës.
Propozim Rregullorja për Mbrojtjen e Mjedisit dhe propozim Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës janë në diskutim publik deri më 03.07.2019 dhe janë të publikuara në ueb faqen e komunës dhe Facebook zyrtar të Komunës.