Republika e Kosoves

Podujevë

U mbajt takimi i Këshillit të Drejtorëve

2020/06/22 - 3:05

Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e udhëhoqi nënkryetari Nexhmi Rudari, ka diskutuar lidhur me zbatimin e vendimit të Qeverisë, Manualit për Parandalimin dhe luftimin e COVID 19 si dhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin buxhetor 2019.

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, nënkryetari Rudari, informoi ekzekutivin për vendimin e Qeverisë Nr. 02 si dhe Manualin për parandalimin dhe luftimin e virusit COVID 19.

Nënkryetari Rudari tha se administrata komunale, por edhe institucionet e tjera dhe bizneset janë të obliguara të respektojmë vendimin e Qeverisë që ka të bëjë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme preventive për parandalimin e përhapjes së virusit, konform me Manualin për Parandalimin dhe luftimin e COVID 19.

Gjatë takimit gjithashtu u diskutua për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të Komunës së Podujevës për vitin 2019.

Nënkryetari Rudari tha se Komuna e Podujevës nga Auditori është vlerësuar pozitivisht, me një raport të pamodifikuar dhe pa theksim çështjesh. Nënkryetari tha se ekzekutivi duhet të punojë në shqyrtimin dhe trajtimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në raport.

Gjatë takimit të sotëm u diskutua edhe lidhur me dinamikën e realizimit të projekteve kapitale.

Foto nga arkivi