Republika e Kosoves

Podujevë

U mbajt takimi Këshillit të Drejtorëve

2019/07/11 - 1:51

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim me Këshillin e Drejtorëve të Komunës, ku është diskutuar lidhur me dinamikën e realizimit të projekteve të planifikuara për këtë vit dhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018.
Në takimin e sotëm të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, të cilin e udhëhoqi kryetari Agim Veliu, u diskutua për ecurinë e realizimit të projekteve të planifikuara me buxhetin e Komunës për vitin 2019.
Lidhur me këtë çështje drejtorët e drejtorive komunale raportuan lidhur me dinamikën e realizimit të projekteve.
Kryetari Veliu kërkoi angazhim maksimal në respektimin e dinamikës dhe afateve të përcaktuara në realizimin e projekteve, por edhe obligimeve të tjera që dalin nga planifikimet buxhetore për vitin 2019.
Në takimin e Këshillit të Drejtorëve u shqyrtua edhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018.
Duke iu referuar këtij raporti, kryetari Veliu tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018 është i pakualifikuar me theksim të çështjes, pra është opinion pozitiv.
Në takim u tha se do të hartohet një plan i veprimit për plotësimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm.