Republika e Kosoves

Podujevë

U miratua KAB 2023-2025 dhe u caktuan lokcionet për ndërtimin e pishinës gjysmë olimpike dhe çerdhes së re publike në qytet

2022/06/30 - 10:22

Udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal, në mbledhje kanë marrë pjesë kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, drejtorë të drejtorive komunale si dhe anëtarët e asamblesë komunale.

Në mbledhjen e sotme kuvendi komunal shqyrtoi dhe miratoi këto pika të rendit të ditës:

1. Korniza Afatmesme Buxhetore 2023/2025 e Komunës së Podujevës.

2. Propozim vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit Çerdhe Publike në hapësirën e SHFMU “Xheladin Rekaliu” në Podujevë.

3. Propozim vendimi për vënie në diskutim publik:

-Arsyeshmëria profesionale për shpalljen e zonës “Ushton Lumi” në Popovë si zonë të mbrojtur të natyrës;

-Elaborati: Studimi për arsyeshmërinë profesionale për marrjen në mbrojtje të vlerës së natyrës: “Trungu i Qarrit” (quercus cerris), në fshatin Lupç i Poshtëm.

4. Formimi i Komisionit për hartimin e draft Rregullores për Orarin e Punës së Bizneseve që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës. Komisioni u formua nga pjesëtarë të ekzekutivit komunal dhe anëtarët e kuvendit: Vigan Salihu, Bahri Selimi, Antoneta Ejupi, Besnik Mulliqi, Ekrem Rrahmani, Drita Pajaziti, Bashkim Syla, Arbnor Fazliu, Gazmend Islami.

5. Propozim vendim i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për caktimin e lokacionit për ndërtimin e pishinës gjysmë olimpike në Podujevë.

6. Propozimi i Drejtorisë së Arsimit, për ndryshimin e Statusit të SHMLT “Fan S. Noli” dhe SHMLE “Isa Boletini” nga Shkolla të Mesme të Larta Profesionale-SHMLP në Institucione të arsimit dhe Aftësimit Profesional – IAAP.

Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan nga Kuvendi Komunal, ndërsa gjatë mbledhjes si pika shtesë të rendit të ditës u miratuan edhe shpallja “Qytetar Nderi” e Halil Kastratit me propozim të kryetarit, Shpejtim Bulliqi, me arsyeshmërinë e kontributit të tij për ndërtimin e shtëpive për familjet skamnore në Podujevë, ky propozim gjeti mbështetjen e plotë të anëtarëve të Kuvendit.

Gjithashtu u miratua propozimi i asamblistit, Ragip Fetahu, për Themelimin e Komiteteve tjera të Kuvendit Komunal të Podujevës si:

1. Komiteti për Zhvillim Ekonomik me anëtarë: Arjant Topanica, Xhevdet Maloku, Endritë Murati Burim Hasani dhe Arjeta Fetahu(e jashtme)

2. Komiteti për Barazi Gjinore me anëtarë: Ragip Fetahu, Edona Shabani, Drita Pajaziti, Fahri Hasani dhe Gentiana Gashi(e jashtme)

3. Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me anëtarë: Mimoza Abdullahu, Tringa Sfishta, Kasib Bashota, Kron Salihu(i jashtëm), Arben Beqiri(i jashtëm).

Ndërsa për pikën e dytë të propozuar nga këshilltari Ragip Fetahu për hartimin e një trupe punuese për Draft rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanime dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës, nuk kishe kourum të mjaftueshëm për të vazhduar seanca dhe me këtë rast u ndërpre seanca nga kryesuesi i Kuvendit Komunal.