Republika e Kosoves

Podujevë

U shënua 20 vjetori i Betejës së Kaqandollit

2018/09/17 - 5:02

Nën organizmin e përbashkët të Komunës së Podujevës dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës UÇK-së në Podujevë u shënua 20-vjetori i Betejës së Kaqandollit.
Manifestimet për shënimin e kësaj ngjarje filluan me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Penuhë, për të vazhduar pastaj me homazhe tek Lapidari i dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaqandollit.
Ceremonia kryesore në shënim të kësaj ngjarje u mbajt në Sallën e Kuvendit të Komunës, ku u organizua një Aakademi përkujtimore.
Në akademinë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ish-Komandanti i ZOLL të UÇK, Rrustem Mustafa, historiani Hakif Bajrami, ish-eprori ushtarak i UÇK, Arif Muçolli, drejtues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve, ish luftëtarë të UÇK-së dhe qytetarë.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se kjo betejë, që zë vend në kalendarin e ngjarjeve historike të rezistencës së armatosur dhe luftës për lirinë e vendit, ishte beteja e parë frontale në Llap, që e zhvilloi UÇK-ja kundër forcave serbe.
“Pjesëmarrësit e Betejës së Kaqandollit treguan trimëri të jashtëzakonshme dhe u bënë shembull i qëndresës dhe heroizmit në luftën çlirimtare.
Duke ndjekur shembullin e njërit nga komandantët e parë të UÇK-së, Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe dëshmorëve të Llapit, të orëve të para të luftës për lirinë e vendit, siç ishin Ali Ajeti, Hakif Zjenullahu, Ilir Konushevci, e të tjerë, edhe në Betejën e Kaçanollit ranë shtatë dëshmorë, për t’i hapur rrugën lirisë së vendit.
Betejat e lavdishme, si ajo e Kaqandollit, Tabeve të Llapashticës, dhe shumë të tjera në Llap e gjithandej Kosovës, i dhanë vulë luftës për çlirim dhe qëndresës sonë ndër mote”, tha kryetari Veliu.
Më tej kryetari Veliu tha se “ata u flijuan për kauzën e lirisë, kurse neve na mbetet ta jetësojmë amanetin e tyre dhe ta ndërtojmë këtë shtet për gjeneratat e ardhshme dhe për të respektuar veprën e heronjve e të rënëve për këtë vend”.
Ish- komandanti i ZOLL të UÇK, Rrustem Mustafa, ka folur për heroizimin e treguar në Betejën e Kaqandollit. Ndërsa duke folur për rrethanat dhe aktualitetin politik tha se ka përfunduar koha kur nga shqiptarët janë marr toka.
Për rëndësinë e kësaj beteje dhe të luftës së UÇK-së, folën edhe ish komandanti i Brigadës “Shaban Shala”, Arif Muçolli dhe historiani Hakif Bajrami.
Në fund të kësaj akademie familjeve të shtatë dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaqandollit iu ndanë mirënjohje.