Republika e Kosoves

Podujevë

U shënua 20 vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës

2018/12/24 - 1:56

Nën organizmin e përbashkët të Komunës së Podujevës dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së në Podujevë, sot u shënua 20-vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës.

Në akademinë e organizuar për nder të Betejës së Tabeve të Llapashticës, ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve, ish luftëtarë të UÇK-së dhe qytetarë.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha në 24 dhjetorin e vitit 1998, në Tabet e Llapashticës, trimat e Llapit nuk po mbronin veç Llapin, as nuk po luftonin vetëm për Kosovën.

“Në njërën nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Tabet e Llapashticës po mbrohej një popull i tërë dhe po i jepej edhe një goditje e fortë armikut shekullor, në luftën për çlirimin e Kosovës. Pjesëmarrësit e kësaj beteje, jo vetëm treguan rezistencë e trimëri të jashtëzakonshme, por edhe u bënë shembull i qëndresës dhe heroizmit në luftën çlirimtare”, tha Kryetari Veliu.

Më tej Kryetari Veliu tha se “Beteja e Tabeve të Llapashticës ishte shembulli më i mirë se si luftohet kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe i pajisur me një makineri të sofistikuar ushtarake. Mirëpo, duke ndjekur shembullin e njërit nga komandantët e parë të UÇK-së, Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe dëshmorëve të tjerë, luftëtarët trima të Llapit me heroizmin e treguar i hapën rrugën lirisë së vendit dhe i dhanë vulë luftës për çlirim”.

“Lufta për çlirim dhe rënia për atdhe duhet të jetë një inspirim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të punojmë edhe më shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë. Ata u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës, ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione, ua kemi borxh të punojmë me tërë dijen dhe përkushtimin tonë, për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre”, tha Kryetari Veliu.

“Një Kosovë e lirë, e pavarur dhe sovrane është edhe vullneti i qytetarëve tanë dhe amaneti i heronjve dhe dëshmorëve ndër breza. Kosova sot ka institucionet e saj demokratike dhe synon përmbushjen e aspektit formal të shtetndërtimit”.

“Miratimi i ligjeve që Kosovën e bën me ushtrinë e saj, forcimi i institucioneve të drejtësisë, krijimi i një administrate më funksionale dhe ngritja e cilësisë në arsim, shëndetësi e fusha të tjera, i hap rrugë integrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO, OKB dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha Kryetari Veliu.

Në përfundim të fjalës së tij Kryetari Veliu tha se “bashkërisht e kemi obligim ta kultivojmë e forcojmë dashurinë për Kosovën, e cila ka nevojë për kontributin tonë. Ndërtimi i një shteti funksional dhe një popull aktiv, janë shpresa e vetme për ardhmërinë e vendit tonë”.

Në këtë akademi foli edhe ish-komandanti i UÇK të ZOLL, gjenerali Rrustem Mustafa-Remi.

Ai vlerësoi lart sakrificën e luftëtarëve të Zonës Operative të Llapit, duke thënë se sikurse në Betejën e Tabeve të Llapashticës edhe në të gjitha betejat e tjera në Llap, e kudo në Kosovë, është luftuar me heroizëm e moral të lartë për çlirimin e vendit.

Gjenerali Mustafa tha se në çdo kohë dhe në çdo vend do të dëshmohet se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe çlirimtare.

Në emër të familjeve të dëshmorëve foli Jashar Zejnullahu, i cili falënderoi Komunën e Podujevës dhe shoqatat e dala nga lufta për organizimin e kësaj akademie dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjeve të dëshmorëve.

Për nder të 20 vjetorit të Betejës së Tabeve të Llapashticës, kryetari Komunës së Podujevës, Agim Veliu i shoqëruar edhe nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe ish luftëtarë, bëri homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Llapit në Penuhë, te Lapidari i dëshmorëve te Tabet e Llapashticës dhe lapidari në lagje e Kastratëve në Obrançë.