Republika e Kosoves

Podujevë

U zgjodh kryesuesi i KK Podujevë

2010/02/11 - 12:00

 Hazir Raçi u zgjodh kryesues i Kuvendit të Komunës së Podujevës 
 
Sot në Sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës u mbajt seanca e dytë e cila fillimisht u kryesua nga kryesuesi i mbledhjes Shaban Osmani. Në këtë mbledhje ishte prezent edhe kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu. Dr. Bahri Thaçi në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së propozoi që njoftimi i kryetarit të komunës Agim Veliu për emërimin e nënkryetarit të Komunës dhe drejtorëve të Drejtorive të Administratës Publike të Komunës të shtyhet për seancën e ardhshme, pasi që në listën e emrave të kryetarit Veliu për nënkryetar të Komunës dhe për drejtorë janë katër këshilltarë të këtij Kuvendi, të cilët duhet të deklarojnë se a dëshirojnë të jenë këshilltarë apo pjesë përbërëse e udhëheqjes së Administratës së Komunës. Ky propozim u miratua me shumicë votash. Smajl Abdullahu nga AAK propozoi që të vihet në rend të ditës të këtij kuvendi çështja që projekti i autostradës i paraparë të ndërtohet në relacionin Morinë-Merdarë, po përpiqet nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit të shkurtohet në Besi dhe të mos vazhdoj deri në Merdarë. Kjo gjë është në kundërshtim me interesin e Kosovës, por edhe të komunës së Podujevës, tha mes tjerash z. Abdullahu. Kjo çështje u vendos njëzëri nga këshilltarët e Kuvendit që të shqyrtohet së shpejti në një seancë të veçantë.

Më pas filloi procesi i zgjedhjes të kryesuesit të Kuvendit, ku këshilltarët e LDK-së propozuan Hazir Raçin për kryesues të Kuvendit, ndërsa PDK propozoi Florije Maliqin.

Pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë, Hazir Raçi fitoi qysh në rundin e parë me 23 vota, kundër kandidatit tjetër që kishte vetëm 17 vota.

Në këtë seancë u vendos edhe për caktimin e strukturës për kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtarë të Komiteteve e Komisioneve të Kuvendit.
 
Postuar me datë:11-02-2010

Sot në Sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës u mbajt seanca e dytë e cila fillimisht u kryesua nga kryesuesi i mbledhjes Shaban Osmani. Në këtë mbledhje ishte prezent edhe kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu.