Republika e Kosoves

Prishtinë

Bashkë me britanikët, për punësim meritor

2018/11/07 - 2:37

Në vazhdën e angazhimit kundër korrupsionit, kundër nepotizmit dhe për qeverisje transparente, Kryetari i Kryeqytetit z. Shpend Ahmeti, nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell. Memorandumi ka për qëllim avancimin e strukturave publike me qëllim të fuqizimit të transparencës, profesionalizimit dhe përgjegjshmërisë. Synim i veçantë i këtij Memorandumi është pavarësia dhe profesionalizmi në procesin e rekrutimit për pozitat e larta drejtuese në ndërmarrjet publike.

Kësisoj, përmirësohet tutje kapaciteti i ndërmarrjeve publike për të kontribuar në arritjen e reformave sfiduese, duke krijuar më shumë mundësi profesionale, politikë-bërje të përgjegjshme dhe transparente; si dhe rritet besimi në ndërmarrjet publike. Në terma konkretë, qëllimi i projektit është që të sjellë një standard të ri dhe më të avancuar në proceset e rekrutimit të pozitave publike.

Një partner zbatues i zgjedhur nga Ambasada do të ndihmojë Kryeqytetin për rekrutimin e pozitave të larta në ndërmarrjet publike, duke ndihmuar në parandalimin e nepotizmit dhe forcimin e transparencës, meritokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Pas çdo procesi rekrutues, partneri zbatues do të sugjerojë një listë të ngushtë të kandidatëve, e cila do të merret parasysh nga komisioni relevant. Përzgjedhja e njërit nga kandidatët e listës së ngushtë do të bëhet nga ndërmarrja relevante/Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës zotohet që do të lehtësojë zbatimin e projektit dhe do të sigurojë që partneri zbatues të ketë qasje të plotë në procesin e rekrutimit të pozitave të miratuara dhe qasje të plotë në të gjitha informatat e domosdoshme. Memorandumi i nënshkruar është në fuqi nga sot, deri më 31 mars të vitit 2020.