Republika e Kosoves

Prishtinë

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka përfunduar punët ndërtimore në impiantin e kompostimit i cili iu dorëzua për shfrytëzim ndërmarrjes komunale “Hortikulutra”

2021/09/30 - 2:57

Në prezencë të Nënkryetarit Muhedin Nushi dhe Drejtores së Shërbimeve Publike Medina Braha, komisioni nga Komuna dhe komisioni nga “Hortikultura” bënë sot vlerësimet paraprake të pranim-dorëzimit të këtij impianti. Këtu do të kompostohen të gjitha mbeturinat e gjeneruara nga mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra për tu shndërruar në pleh.
Derisa e kemi mbuluar tërë territorin me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, përfitimet kryesore shtesë nga ky projekt janë:
• Zvogëlimi i sasisë së mbetuarinave të gjelbra që dërgohen në deponi;
• Zvogëlimi i kostos në transport;
• Përfitimi i kompostit për plehërim dhe kultivim të fidaneve pa kosto financiare.
Ky është një bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës, qeverisë sllovene nëpërmjet Qendrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (CMSR) dhe qeverisë gjermane nëpërmjet Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Komuna ka kontribuar me pjesën ndërtimore, CMSR me makineri dhe pajisje dhe GIZ me projektim. Projekti përfshin mjete dhe pajisje të një teknologjie të avansuar me çka impianti i kompostimit në Prishtinë bëhet një model për tërë vendin.
Pasi janë përfunduar punët ndërtimore dhe është pranuar i tërë donacioni i makinerive dhe pajisjeve, tani ka mbetur vetëm edhe pjesa e trajnimit të stafit të “Hortikulturës”. Rrjedhimisht, impianti do të funksionalizohet tërësisht në fillim të vitit të ardhshëm.
Falenderojmë CMSR dhe GIZ për mbështetjen!