Republika e Kosoves

Prishtinë

“Gjin Gazulli” do të transformohet në Qendër të Kompetencës

2018/11/05 - 4:19

Me qëllim të përkrahjes së shkollës së mesme profesionale elektroteknike “Gjin Gazulli”, Kryetari Shpend Ahmeti nënshkroi Memorandum të Mirëkuptimit lidhur me Projektin KSV/020 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP), që mbështetet nga Luxembourg Aid & Development, e zbatohet nga Lux Development dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Shuma e përgjithshme e projektit është 5 milionë euro, dhe aktivitetet kryesore përfshinë:

– Ndryshimet në kornizën ligjore dhe strukturën qeverisëse të sektorit AAP-së;
– Avancimi i institucioneve të AAP-së, ndërlidhja me kurrikulën e ofruar;
– Zhvillimi, përmirësimi dhe ndërlidhja e sistemeve të informacionit, duke përfshirë edhe ato që dedikohen për sektorin e udhëzimit në karrierë.

Transformimi i shkollës “Gjin Gazulli” në Qendër të Komptencës (QK), është një prej pjesëve të rëndësishme të këtij projekti, për çka është paraparë që: të rinovohet objekti; të ketë pajisjet e nevojshme që për sektorin TIK dhe profilet që zhvillohen në QK; të zhvillohen kualifikimet e reja në QK për TIK, duke përfshire standardet e profesionit dhe kurrikulën e bazuar në kompetenca dhe materiale mësimore; të ketë asistencë financiare dhe teknike për përzgjedhjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të stafit administrativ dhe mësimdhënësve; të mblidhen informata mbi tregun e punës; të zhvillohet një model i qëndrueshëm afatmesëm dhe afatgjatë i biznesit; të bëhet bashkëpunimi me industrinë, me shërbimet për këshillim në karrierë, e të ngjashme; të zhvillohet strategjia dhe plani i qëndrueshëm financiar; si dhe të zhvillohen brenda shkollës të gjitha proceset që kanë të bëjnë me akreditimin e standardeve të profesionit dhe kualifikimit.