Republika e Kosoves

Prishtinë

Komuna e Prishtinës merr çmim në finalen e Albanian ICT Awards

2019/05/02 - 5:43

Në kategorinë Shërbimi Publik më i mirë, Komuna e Prishtinës mori çmim për herë të katërt radhazi në Albanian ICT Awards. Në vitin 2016, Komuna u shpërblye me çmimin e parë për projektin “E-Kiosku”, në vitin 2017 mori çmim në finale me projektin “Platforma Digjitale për Particim Publik”, në vitin 2018 mori çmim në finale me projektin “Prishtina Open Data”, kurse në këtë vit mori çmim me platformën “Kontratat e hapura” dhe implementimin e standardit të të dhënave për kontraktim të hapur (OCDS).

Përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës znj. Gresa Deda gjatë fjalës së saj potencoi se përfshirja në finale për të katërtin vit me radhë e dëshmon punën e palodhshme që Komuna e Prishtinës po e bënë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike nëpërmjet teknologjisë. Ne besojmë se nëpërmjet krijimit të produkteve inovative arrijmë të krijojmë qeverisje të mirë dhe të besueshme.

Kjo platformë është punuar në dy module, një për strukturën menaxheriale të institucionit dhe një për publikun. Kësisoj, përveç që mundësohet qasja shumë e lehtë e të gjithë qytetarëve në këto dokumente, rregullohet dhe përshpejtohet edhe më tutje menaxhimi i kontratave nga ana e zyrtarëve komunal.

Implementimi i Standardit të dhënave për kontraktim të hapur (OCDS – Open Contracting Data Standard) është një hap më afër transparencës së skajshme në prokurim publik, dhe Komuna e Prishtinës është institucioni i parë në vend dhe rajon që e implementon këtë standard.

OCDS mundëson qasjen në të dhëna dhe dokumente gjatë të gjitha fazave të procesit kontraktues dhe shfrytëzohet e i mbështet institucionet publike për të rritur transparencën e kontraktimit duke mundësuar analiza më të thella të të dhënave kontraktuese nga të gjitha grupet e interesit.