Republika e Kosoves

Prishtinë

Kryetari Rama dhe drejtorja e kulturës, Sibel Halimi u takuan me artistë në Qendrën për Praktikë Narrative

2024/06/26 - 1:29

Në oborrin e Qendrës për Praktikë Narrative, ish biblioteka “Hivzi Sylejmani”, të mërkurën kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me drejtoren e kulturës, Sibel Halimi takuan dhe biseduan me pjesëtarë të komunitetit artistik dhe shoqërisë civile. Takimi kishte për qëllim diskutimin e vazhdimësisë dhe funksionit të Qendrës, duke adresuar shqetësimet dhe nevojat e artistëve. U theksua rëndësia e organizimit të shpeshtë të bashkëbisedimeve rreth kulturës dhe artit në kryeqytet, si dhe ofrimit të hapësirave të nevojshme për ta.

Së bashku me Drejtoren e Kulturës, znj. Sibel Halimi, kryetari nënvizuan rëndësinë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm me artistët dhe komunitetin. Që prej vitit 2022, falë marrëveshjes me Manifesta 14, Qendra për Praktikë Narrative ka ofruar një numër të madh aktivitetesh duke shërbyer komunitetit dhe artistëve. Megjithatë, mungesa e fondeve ka penguar realizimin e projekteve të reja dhe ka sjellë degradimin e hapësirave.

“Për të rivitalizuar Qendrën, Drejtoria e Kulturës është vendosë në një pjesë të objektit, ndërsa hapësira tjetër është dhe do të vazhdojë të jetë e lirë për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. Kryeqyteti është gjithashtu në proces të identifikimit të vendeve të reja për krijimin e hapësirave shtesë për artistët, duke inkurajuar dialogun social dhe bashkëpunimin për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” – deklaroi kryetari Rama.

Kryetari i fton komunitetin dhe organizatat artistike të paraqesin propozime dhe zgjidhje, duke premtuar mbështetje institucionale për jetësimin e tyre.