Republika e Kosoves

Prishtinë

Të respektohet ligji në Ndërmarrjen Publike Banesore

2018/06/06 - 5:36

Dje në gazetën Insajderi është publikuar një audio incizim i drejtorit të Ndërmarrjes Publike Banesore me një anëtar të bordit ku dëgjohet biseda për konkurs të lokaleve dhe favorizim të bizneseve. Sipas atij audio incizimi, njëri person i thotë tjetrit se në qoftë se nuk fitojnë ato kompani, ai konkurs duhet të anulohet.
“Ne dimë që komisioni vlerësues asokohe ka bërë punë të shkëlqyeshme, sipas kritereve, pa e favorizuar askënd. Ishte komplet e paqartë për ne se pse është anuluar ai konkurs? Madje, Kryetari Ahmeti i pati dërguar e-mail drejtorit të ndërmarrjes, ku ka kërkuar sqarime, mirëpo në përgjigjen e kthyer nuk ka marr asnjë sqarim. Ama, tani, nga audio-incizime, e kemi të qartë se pse është anuluar konkursi. Kjo është shkelje ligjore, dhe si rrjedhojë është e papranueshme për neve”, tha Dren Kukaj, Drejtor i Drejtorisë së Pronës dhe njëherësh anëtar i Komisionit të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Ai theksoi se tashmë duhet ta ketë të qartë edhe Kuvendi Komunal se në çfarë lajthitje është futur kur votoi për shkarkimin e aksionarit Qëndrim Sahitit. “Mandati i bordit dhe i drejtorit ka skaduar në fillim të këtij viti. Që nga janari, ne si aksionarë kemi kërkuar që të lirohen zyrat e ndërmarrjes, dhe që bordi të mos merr vendime sepse është jolegal dhe jolegjitim, pra pa mandat. Së fundmi kemi kërkuar ndihmë edhe nga Policia e Kosovës, që këta persona të largohen nga objekti. Vendimet që kemi marr ne si aksionarë dhe si persona të vetëm legjitim për vendimmarrje duhet të zbatohen menjëherë. Tash, do ta shpallim edhe konkursin për bordin e ri”, u shpreh ai.
Kukaj ftoi prokurorinë dhe policinë e krimeve ekonomike që ta hetojnë konkursin për lokale, si dhe veprimet tjera të jashtëligjshme nga ish-drejtori dhe ish-bordi i NPB-së.