Republika e Kosoves

Prishtinë

Selim Pacolli

Selim Pacolli, ka lindur me 21 shtator 1969. Studimet në fushën e ekonomisë i mundësuan që për dekada të jetë ushtrues i pozitave menaxheriale të rëndësishme duke përfshirë disa fusha të zhvillimit biznesor. Kjo i mundësoi që me përvojat e tij të jetë njohës i mirë i proceseve të punës , si në fushën zhvillimore të tekstilit, ndërtimit dhe inxhinieringut, të mediave dhe botimeve të veçanta, të proceseve dhe zhvillimeve, punës bankare, në kompani të sigurimeve, në fushën e hotelerisë dhe turizmit, etj.

Selim Pacolli, karrierën e tij e filloi me pozita menaxheriale, ku nga viti 1996-2005 ushtroi detyrën e Drejtorit Gjeneral të Mabetex Project & Enginering –dega në Prishtinë. Nga viti 2005-2011 emërohet në pozitën e Drejtorit Gjeneral në Kompaninë ATV Media Group – ku përfshihen botimet e veçanta, qendra mediale, gazeta ditore “Lajm”, dhe më pas edhe revista mujore “Albanica”.

Nga viti 2011 – 2017 Selim Pacollit i besohet drejtimi i një biznesi të ri, atij të Swiss Diamond Hotel Prishtina, të cilin një periudhë të shkurtër kohore e vendosi në listën e top hoteleve, duke u shpërblyer me çmime prestigjioze ndërkombëtare.

Deri në vitin 2009 ishte Anëtar Bordi në Banka Ekonomike dhe po ashtu deri në vitin 2014 Anëtar Bordi në KS Siguria. Ndërsa, në Mabetex Holding, si Anëtar Bordi ishte deri më 2017.

Gjate viteve ’90 ushtroi edhe shume aktivitete bamirësie, duke udhëhequr shoqatën “Nëna Terezë” në Hajvali, e më pas edhe si kryetar i komisionit të shoqatës “Familja mban Familjen”.

Selim Pacolli, gjatë periudhës së luftës ka shërbyer si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktivitetet politike, Selim Pacolli i filloi që në moshë të re, fillimisht i përfshirë në strukturat e hershme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega V-të, nga forumi rinor tek dega.

Në vitin 2007 me themelimin e partisë Aleanca Kosova e Re, ai ushtroi edhe pozitën e sekretarit organizativ të partisë 2008-2010. Ndërsa në gusht të vitit 2017 i rikthehet sërish skenës politike, ku në dhjetor të vitit 2017 edhe merr pozitën e Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës.

Përveç gjuhës amtare, Selim Pacolli flet edhe gjuhën angleze, serbo-kroate dhe atë italiane.