Shpend Ahmeti ka lindur më 18 prill 1978 në Prishtinë.
Ka përfunduar studimet master në Politika Publike në Universitetin e Harvardit, SH.B.A, gjatë viteve 2002 – 2004, duke specializuar në Zhvillimin Politik dhe Ekonomik. Studimet universitare i ka përfunduar në Ekonomi dhe Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari, gjatë viteve 1996 – 2000, duke specializuar në Ekonomi të Aplikuar dhe Administrim Biznesi.
Gjatë kohës së studimeve 1999-2002, Shpendi ishte senator dhe më pas Kryetar i Qeverisë Studentore në Universitetin Amerikan të Bullgarisë , si dhe udhëheqës i komuniteteve të ndryshme (nga më shumë se dhjetë vende) përgjatë një periudhe të reformave në universitet. Në universitetet amerikane, angazhimi në Qeveri studentore është eksperienca që ndërthur dijen, organizimin, përballjen për mbrojtjen e të drejtave dhe përgjegjësinë e besimin nga shokët dhe kolegët.
Prej vitit 2005 Shpendi është ligjërues i Politikave Publike dhe Politikave Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan këtu në Kosovë (AUK).
Përveç gjuhës amtare shqipe, Shpendi flet atë angleze, serbo-kroate, maqedone, bullgare dhe ka njohuri të gjuhës gjermane.
Është fitues i disa çmimeve e shpërblimeve si World Bank Spot Award dhe i atij në European Debating Championships.
Shpendi jeton në Prishtinë me bashkëshorten, Ardianën, dhe dy fëmijët, Tean dhe Anrin. Ka qenë Nënkryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Aktualisht është Kryetar i Partisë Socialdemokrate.
PËRGJEGJËSITË
Kryetari i Komunës, në pajtim me dispozitat e LVL – së dhe Statutit të Komunës, është përgjegjës të:
përfaqësojë Komunën dhe vepron në emër të saj;
udhëheqë ekzekutivin e Komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës;
ushtrojë të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite Kuvendit të Komunës apo komiteteve të tij;
ekzekutojë aktet e Kuvendit të Komunës;
emërojë dhe shkarkojë zëvendësin e tij/saj;
emërojë dhe shkarkojë drejtorët, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave;
organizojë punën dhe të drejtojë politikën e Komunës;
propozojë rregullore apo akte të tjera për miratim në Kuvendin e Komunës;
propozojë zhvillimin komunal, planet rregulluese dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në Kuvendin e Komunës dhe ekzekuton buxhetin e miratuar;
raportojë para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomike – financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në gjashtë muaj, apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi i Komunës;
kërkojë që Kuvendi i Komunës ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsiderohet se akti bie në kundërshtim me legjislacionin në zbatimin, apo interesin e komuniteteve;
mbikëqyrë administrimin e përgjithshëm financiar;
delegojë përgjegjësi te anëtarët e Këshillit të Drejtorëve dhe të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive të deleguara;
të bëjë ndryshime në lidhje me funksionimin dhe numrin e drejtorive dhe funksionet e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi
të kryejë përgjegjësi të tjera të përcaktuara nga Kuvendi i Komunës.
KABINETI
Diellza Kelmendi – Shefe e Kabinetit të Kryetarit
Diellza Kelmendi u lind më 13.08.1990 në Prishtinë.
Përfundoi studimet Bachelor pranë “Rochester Institute of Technology” (RIT)- Kosova gjatë viteve 2008-2012, në drejtimet Politika Publike dhe Menaxhment, me nëndegë në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë në drejtimin e shkencave shoqërore.
Karrierën profesionale e filloi me punë vullnetare në Ministrinë e Financave – Departamenti për të drejtat e njeriut, pastaj vazhdoi në sektorin privat pranë kompanisë së telekomunikimit “Ipko Telecommunications” L.L.C si mbështetëse e shitjes në sektorin e bizneseve. Në vitin 2014 u punësua në Komunën e Prishtinës, si asistente ekzekutive e Kryetarit të Komunës së Prishtinës deri në vitin 2017, kur edhe u emërua shefe e Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, punë të cilën ende vazhdon ta kryejë.
Gjatë viteve të studimeve, Diellza ishte pjesëtare e klubit të bamirësisë së RIT-KOSOVA, ku mori pjesë në aktivitete të ndryshme, me qëllim të shërbimit të komunitetit. Gjatë karrierës profesionale ka pasur rastin të marrë pjesë në programe të ndryshme, si “Open World Kosovo”, program ky i destinuar për fuqizimin e vendimmarrjes së gruas në nivel lokal dhe nacional, financuar nga Kongresi Amerikan. Gjithashtu, ishte pjesëmarrëse edhe në programin “Osce Dialogue Academy for Young Women” si pjesë e Follow Us Initiative, program ky i destinuar për forcimin e kontakteve dhe dialogut në mes të grave aktiviste të Prishtinës dhe atyre të Beogradit në temat e përbashkëta, si barazia gjinore dhe fuqizimi i gruas në shoqëri.
Diellza jeton dhe vepron në qytetin e saj të lindjes – Prishtinë.
Kontakti
Email: diellza.kelmendi@rks-gov.net
Tel: 038 223 496
_______________________________________________________________________________________________
Zyra e Kryetarit – Personi kontaktues:
Merita Maliqi
tel: 038 234 944
tel/fax: 038 231 972
e-mail:merita.maliqi@rks-gov.net