Republika e Kosoves

Prizren

Fillon kastrimi dhe trajtimi i qenve endacak

2018/11/09 - 2:59

Komuna e Prizrenit po vijon me trajtimin e qenve endacakë. Këto ditë Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka angazhuar një kompani për të vijuar trajtimin edhe të 800 qenve të tjerë, duke përfshirë kapjen, përkujdesjen, sterilizimin, vaksinimin dhe matrikulimin e tyre.

Krahas kësaj, tashmë kanë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e qendrës së përkohshme për trajtimin e qenve endacakë dhe punimet për ndërtimin e kësaj qendre do të fillojnë brenda dy jave.

Komuna gjithashtu po krijon bashkëpunim edhe me organizatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat do të monitorojnë trajtimin e këtyre qenve dhe do të angazhohen për vetëdijësimin e qytetarëve për mirëqenien e kafshëve.

Për të qenë sa më i suksesshëm procesi i trajtimit të qenve, nevojitet edhe bashkëpunimi i qytetarëve, kështu që në rast se haset tek qentë të pa trajtuar (nëse nuk kanë kapëse në vesh), atëherë lusim që të na raportojnë menjëherë në Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 19 200 apo në Viber dhe WhatsApp në numrin +383 45 119 200.