Republika e Kosoves

Prizren

Komuna e angazhuar fuqishëm në zhvillimin e politikave të gjelbërta dhe mbrojtjen e ambientit

2020/10/15 - 5:41

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, gjatë ditës së sotme mori pjesë në sesionin informues “Human Rightivism” (aktivizim mjedisor), të organizuar nga organizata jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe”.

Në këtë sesion, që synon informimin e nxënësve të shkollave në Prizren mbi rëndësinë dhe mënyrat e aktivizmit për mbrojtjen e mjedisit, nënkryetari Shehu, shpalosi detajet e projekteve të Komunës së Prizrenit përmes së cilëve autoritetet lokale synojnë zhvillimin e gjelbër dhe mbrojtjen e ambientit.

Nënkryetari Shehu, duke deklaruar se Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me UNDP, ka themeluar Zyren për Zhvillim të Gjelbër, theksoi se autoritetet lokale janë munduar maksimalisht që të sigurojnë kushte të shëndetshme të jetesës urbane, duke i mbrojtur dhe zhvilluar hapësirat e gjelbra.

Në këtë drejtim nënkryetari Shehu, njoftoi se Komuna e Prizrenit tashmë ka dizajnuar një projekt që përfshin krijimin e shtigjeve të gjelbra për këmbësorë dhe për personat me nevoja të veçanta, krijimin e shtigjeve për bicikleta, stacione inovative të autobusëve, hapësira të gjelbra për pushim, parkingje për biçikleta, parkingje për automijete, të cilët po ashtu pranë tyre do të posedojnë edhe mbushëse për automiete e biçikleta elektrike.

Po ashtu nënkryetari Shehu njoftoi në lidhje me projektin e Komunës së Prizrenit për instalimin e paneleve diellore në 50 objekte, me të cilin synohet kursimi i energjisë elektrike, respektivisht efiçiencës së energjisë.

Në këtë aktivitet, përveç përfaqësuesve të “EC Ma Ndryshe”, morën pjesë edhe mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollave “Emin Duraku”, ” Ibrahim Fehmiu”, “Mati Logoreci” e “Mustafa Bakiu”, të cilët po ashtu prezantuan aktivitetet e shkollave të tyre për zhvillim të gjelbër.