Republika e Kosoves

Prizren

Komuna nderon me titullin “Nderi i Qytetit” Bujar Gjurgjealon pas vdekjes

2021/02/18 - 9:05

Kuvendi Komunal i Prizrenit sot mbajti seancë solemne me rastin e shënimit të 13 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me ç‘rast u nderua me titullin “Nderi i Qytetit” Bujar Gjurgjealo, i cili ishte njëri nga 114 delegatët që e shpallën Deklaratën Kushtetuese të vitit 1990.

Krahas kryetarit të Komunës së Prizrenit, Kryesuesit, kuvendarëve dhe drejtorëve komunalë, në këtë seancë morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë, Universitetit të Prizrenit, Spitalit Rajonal, si dhe përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.

Seanca filloi me fjalimet e shefave të grupeve kuvendare, të cilët në emër të grupeve të tyre kuvendare kujtuan sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri.

Me këtë rast kryetari Haskuka ndër të tjerash theksoi se ndjehet i privilegjuar dhe i nderuar që gjatë kësaj seance solemne, në emër të Komunës së Prizrenit dhe qytetarëve të saj, ka ndarë dekoratën “Nder i Qytetit” të Prizrenit, Bujar Gjurgjealos, i cili ishte njëri nga 114 delegatët që e shpallën Deklaratën Kushtetuese të vitit 1990, e cila është një prej gurthemeleve kryesore të shtetësisë së Kosovës.

Shënimi i 13 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës vazhdoi me pjesëmarrjen e kryetarit Haskuka në këto aktivitete të organizuara nga ana e Komunës së Prizrenit:

– Vizitë në punimet e Memorialit “Selajdin Berisha” në Lagjen e Spitalit.

– Vizitë në ekspozitën e artit, orës letrare dhe shfaqjeve muzikore nga të rinjtë e Prizrenit të cilët u dekoruan me mirënjohje për punën vullnetare gjatë organizimit të aktivitetit.

– Vizitë në qendrën sportive “Sezai Surroi”, ku ishte organizuar Turneu i Basketbollit U-14, me ç‘rast u ndanë medalje mirënjohëse për sportistët e rinj.

– Vizitë në mbrëmjen me muzikë të lehtë qytetare në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” ku po u organizua Performanca e Artit në stilin Plein-air.

– Ora letrare “Ora e Pavarësisë” u mbajtë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.

– Koncerti i Pavarësisë i organizuar nga SHKA “Agimi”, i cili po ashtu u mbajtë në Shtëpinë e Kulturës.