Republika e Kosoves

Prizren

Komuna ndërton QMF-në e re në Lubizhë të qytetit

2018/11/09 - 11:33

Lubizhda së bashku me Skorobishtin dhe lagjen Dardania, kanë mbi 10,000 banorë. Kjo zonë ka nevojë për një Qendër të Mjekësisë Familjare për ofrimin e më shumë shërbimeve mjekësore, ndërsa nga plani buxhetor i mëparshëm, është planifikuar që së pari të rrënohet AMF-ja që gjendet në Lubizhdë dhe më pas të ndërtohet QMF-ja në vend të njëjtë.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu, në lidhje me këtë dje pati takim me banorët e kësaj zone, ku sqaroi planet e drejtorisë dhe ndëgjoi sugjerimet e banorëve.

Pas diskutimeve, u vendos që pajisjet e AMF-së të barten në hapësirën e shkollës ShFMU “Ekrem Rexha-Drini” që gjendet pranë dhe shërbimet mjekësore të ofrohen prej aty derisa të kryhen punimet, ndërsa për të qenë sa më efikas rrjedha e punës në ndërtimin e QMF-së, do të caktohet edhe një anëtar nga fshati si monitorues i punimeve.

Sot ka filluar bartja e pajisjeve nga AMF-ja, ndërsa punimet për ndërtimin e QMF-së së re do të fillojnë që nga nesër.