Republika e Kosoves

Prizren

Komuna rritë numrin e kamerave në rrugët dhe hapësirat publike

2018/12/27 - 11:36

Sot, në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, është organizuar ndëgjimi publik në lidhje me sigurinë publike dhe problemet që hasen në vendbanime.

Prezentë në këtë ndëgjim publik ishin përfaqësuesit e lagjeve dhe të fshatrave të komunës së Prizrenit, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, përfaqësues të OJQ-ve, si dhe anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Fillimisht fjalën e morri kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili foli për problemet e paraqitura gjatë këtij viti dhe planet për të ardhmen me qëllim të evitimit të këtyre problemeve.

Gjatë vitit të ardhshëm, kryetari Haskuka konfirmoi se do të rifunksionalizohen kamerat e sigurisë në hapësirat publike dhe do të shtohet numri i tyre, ndërsa prioritet do të jetë edhe rritja e kapaciteteve njerëzore dhe furnizimi me pajisje shtesë të zjarrfikësve. Kryetari Haskuka gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim tek të gjithë qytetarët që sa më shumë t’i paraqesin rastet e tyre në Qendrën e Thirrjeve, duke mundësuar kështu në identifikimin e problemeve.

Më pas fjalën e morrën qytetarët që ishin prezentë në këtë takim, të cilët hapën tema të ndryshme në lidhje me sigurinë publike, e të cilat do të jenë temë e diskutimit edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Ndër problemet që u përmendën ishin qentë endacakë, rrëshqitjet e dheut, lypsarët, sinjalizimet në komunikacion, rreziku nga shtëpitë e vjetra e të dëmtuara, vjedhjet, nevoja për prezencë më të madhe të policisë në disa zona, ndotja akustike etj.